NGA PETRO DHIMITRI
Kur populli ju besoi mandatin e parë qeverisës, zoti Kryeministër, shtetin shqiptar e kishte kapur keqas për gryke kanceri korrupsion. Kjo ishte edhe një nga arsyet që elektorati nuk votoi më Berishën. Ishte pikërisht ai që e futi PD-në në rrugën e pandershme të zhvatjes së popullit. Thuajse të gjithë qeveritarët dhe nëpunësit e çdo rangu, përpiqeshin të kapnin ç’të mundnin sa kishin pushtetin?! Populli u deziluzionua shpejt. Kishte përjetuar dhimbjet e diktaturës, persekutimin politik, po jo pasurimin galopant të politikanëve. Sistemi monist, edhe pse i urryer, korrupsionin e kishte nën kontroll… Ky ishte realiteti i hidhur kur morët përsipër barrën e rëndë të drejtimit të Shqipërisë. Po si iu kundërvutë ju kësaj pandemie që po gërryen shtetin dhe shoqërinë tonë? Morët shumë iniciativa. I bëtë thirrje popullit të denonconte cilindo qeveritar, nëpunës ose profesionist që abuzonte në detyrën që i ishte besuar. Madje krijuat edhe një organizëm të veçantë që i analizon abuzimet e këtyre njerëzve .Nuk mund të themi se nuk ka rezultate. Më kujtohet edhe dita kur në Berat gjatë një mbledhje me popullin dëgjuat edhe ankesën e një gruaje që prej një viti nuk i hipotekonin banesën e saj. Përgjegjësin e zyrës që kishte sjellë vërdallë atë qytetare me të drejtë e shkarkuat. Nga ai rast si dhe nga këmbëngulja juaj e vazhdueshme që nëpunësit mos t’i shikojnë qytetarët nga xhepat, po të kryejnë me ndershmëri detyrën, pati një farë kthese. Ajo u bë më e plotë kur vendosët që populli t’i merrte? dokumentet përmes elektronikës. Ky ishte një veprim shumë i rëndësishëm për të shmangur rastet masive flagrante korruptive të nëpunësve të vegjël apo të mesëm. Po për nëpunësit e lartë, veprimet abuzive të të cilëve, populli e ka të vështirë t’i pikasë, si keni vepruar? Me që ata i takojnë lidershipit të Partisë Socialiste, janë njerëz të përzgjedhur edhe për ndershmëri, mos vallë menduat se nuk mund të abuzojnë në detyrat që kanë, qoftë si ministra apo në rangje më të ulëta?! Nuk mund të hamëndësoj se si keni biseduar me ata. Dimë vetëm një fakt inkurajues që, përmes transmetimeve televizive, ia keni bërë të njohur kujtdo që Partia nuk ka për të marrë në mbrojtje asnjeri nga radhët e saj të cilin drejtësia kërkon ta hetojë. Këto fjalë nuk i thatë sa për të kaluar radhën ose për të na gënjyer. I bëtë realitet kur ish ministri i Saimir Tahiri u përball me drejtësinë dhe, tani së fundi ,kur dhatë viston që ish ministri Lefter Koka dhe deputeti Alqi Bllako të përballen me drejtësinë si qytetarë të thjeshtë. Qendrimi i juaj dhe i partisë që kryesoni për ta lënë drejtësinë të veprojë konformë ligjeve është sukses. Kam të drejtë të them se është direkt merita juaj. Aq më tepër që Berisha, përmes gjyqtarëve që i kishte caktuar vetë ai, nxorri të pafajshëm Bashën, Metën, Llallën, Mediun, etj., etj.
Nga PD-ja super e korruptuar, nuk u dënua as edhe një njeri kur nofka ndërkombëtare për Shqipërinë e shprehte qartë: SHTET I KORRUPTUAR. E çuditshme dhe e paspjegueshme është që të gjithë ata dolën se i kishin dhe kanë duart e pastra? Le pastaj që edhe i pari i tyre doli aq i ”pastër” sa SHBA-ja nuk i jep vizë për të shkelur në trojet e saja?! Një dramë-komedi e vërtetë! I nderuar, zoti Kryeministër ,për nëpunësat zhvatës ordinerë është shumë më lehtë të veprohet, sepse i piketon edhe populli me informacionet që dërgon. Po për veprimet abuzive brënda kabineteve ministrore, populli nuk mund ta dijë se çfarë shkeljesh abuzive siglohen dhe firmosen. Vetëm kur ky ose ai titullar ekspozohet keqas duke blerë toka, vila, makina, lluksoze,etj., atëhere populli e përflet. Po atëhere është tepër vonë. Dëm i madh i është bërë shtetit, partisë dhe popullit. Jeni mjaftuar, zoti Kryeministër me gatishmërinë tuaj për t’i hapur rrugën drejtësisë për të hetuar cilindo që dyshohet për korrupsion. E keni thënë hapur se partia nuk të mbron kur t’i ke abuzuar në detyrën që të ka besuar, sepse kjo është çështje personale e të akuzuarit dhe jo çështje e partisë. Saktë dhe drejtë.
Po nuk duhet të mjaftoheni dhe kënaqeni me kaq, i nderuar kryeministër Edi Rama. Ju dhe partia që drejtoni është përgjegjëse që keni emëruar dy, tre apo katër njerëz pa i njohur dhe analizuar mirë. Si individ u takon juve të ndjeni përgjegjësi, sepse e keni ”harruar” thënien kuptimplote: BESO DHE KONTROLLO! Ju vetëm keni besuar. Pse e harruat kontrollin?! Mund të thoni se vepron Kontrolli i Shtetit. E dimë. Ajo hallkë nuk vepron kur nis e del tymi, po vetëm kur flakët e korrupsionit kanë djegur çdo gjë. I kanë djegur ata që janë kuadro të përzgjedhur të partisë suaj! Ja pse ju takon juve dhe partisë që drejtoni të ushtoroni kontroll mbi ta. Nga veprimet korruptive të kujtdo, autoriteti i PS-së cënohet rëndë. Nuk besoj që një parti aq e organizuar si partia juaj e ka të vështirë të dijë se në ç’shteg ose dërrasë të kalbur po ecën ky ose ai ministër. Në kabinetet qeveritare dhe ministritë ju keni shumë antarë të PS-së. Si spjegohet që ka rënë vigjilenca e tyre?! Nuk është fjala për spiunim, jo. Është fjala për dinjitetin e partisë. Nuk e dinin antarët e partisë se për icineratorët nuk u bë tender?! Pse u lejua ajo shkeje?! Nuk mund ta kenë nuhatur daktilografistet, zëvendësministrat, drejtorët përkatës ose edhe inspektorët që toka e bukës po kthehet në tokë truall?! Pse heshtën? Kur Lefter Koka bleu tërë ato toka nuk u shkoi mëndja atyre për të pyetur se ku i gjente ai ministër ato miliona?! Si është e mundur që kallëzimin në Prokurori e bëri opozita? Kush e informoi atë? Doemos anëtarësia e saj. Po vigjilentët e PS-së pse kyçën gojën? Si nuk ju informuan të paktën juve?! Mos vallë e patët nuhatur se për iceneratorët diçka nuk shkonte, por mbase e latë çështjen që ta vendosë drejtësia?!… Do të ishte në nderin e PS-së që ajo ta kishte informuar e para drejtësinë. Si është e mundur që anëtarëve të partisë suaj në Ministrinë e Brendshme nuk u kishin rënë në sy veprimet e Saimir Tahirit? Edhe ata heshtën.
Dëmtuan ministrin, po njollosën jo pak partinë e tyre dhe juve, zoti Kryeministër. Pavarësisht se si duhet të veprojë antarësia e partisë, ju si kryetar i saj të kishit krijuar të paktën një komision për të parë se sa konformë ligjeve bëhen këto tendera qindramilionëshe? Kontrolli i brendshëm rigoroz i partisë për problemet e ekonomisë kishte për të shmangur këto skandale financiare ndaj të cilave populli me të drejtë është shumë i ndjeshëm. Edhe ju duhet të jeni i ndjeshëm. Mendoj që po. Kohët e fundit keni emëruar në poste ministrore disa femra, sepse keni bindjen (dhe nuk jeni gabim) ato shumë më pak nga burrat mund të bëhen pre për abuzime korruptive. Ju përgëzon populli për këtë. Ama ai popull që ju dha për të tretën herë besimin që ta drejtoni, si për ministrin e dënuar me disa vjet burg dhe për atë që po heton drejtësia, ju takon t’i kërkoni falje. Folini hapur dhe me sinqeritet popullit. Vetëm mbështetje do të keni. Rasti më i mirë do të jetë kur të mblidhet kongresi i partisë suaj.
Mos e kaloni lehtë problemin e korrupsionit të ministrave tuaj. Lënia e tyre në dorë të drejtësisë është pak, shumë pak. Më kujtohet se kur një ministër i Anglisë me emrin Profumo u përfshi në një skandal, më duket erotik, ra tërë kabineti qeveritar. Në Kanada, mbi dhjetë vjet përpara, kur një liberal në rang ambasadori kishte bërë abuzime financiare, populli atë vit nuk votoi për liberalët. Nga parti e parë u rendit e treta!? Përpiquni me sa të mundeni të nxirrni edhe përgjegjësinë tuaj si kryeministër. Kjo nuk ka për t’ua dobësuar pozitën. Përkundrazi kanë për t’ju duartrokitur. Deri sa korrupsioni vazhdon, qoftë në përmasa shumë më të vogla, në krahasim me keqqeverisjen e Partisë Demokratike, qetësoni popullin. Tregojini hapur edhe masat organizative që ju takon të merrni për të parandaluar abuzimet e kuadrove të qeverisë dhe partisë suaj .Komunikimi haptas dhe i çiltër me popullin gjithmonë ka sjellë çeljen e luleve pranverore dhe ka dëshmuar se stina e verës ka për të qenë e begatë. Për çdo parti një verë e begatë do të thotë më shumë vota për të. Shqipëria është e etur më për më shumë lule në pranverë. Deri sa ju po punoni aq shumë, se e doni Shqipërinë ,ju takon ta pastroni atë nga çdo qelizë korruptive kanceroze qoftë ajo brenda piramidës suaj qeverisëse.




