Ish-kryeministri britanik Tony Blair e ka përshkruar tërheqjen e SHBA nga Afganistani si “tragjike, të rrezikshme e të panevojshme”, në prononcimin e tij të parë që nga rënia e Kabulit në duart e talebanëve.
Ai tha se vendimi ishte marrë “në ndjekje të një slogani idiot për dhënien fund të ‘luftërave të përjetshme’”.
Blair ishte kryeministër kur Britania pushtoi Afganistanin përkrah SHBA më 2011, pas sulmeve të 11 shtatorit. Ai tha se largimi i trupave aleate i ka bërë të festojnë grupet xhihadiste. Ai shtoi edhe se Britania ka “obligimin moral” të qëndrojë në Afganistan deri sa “të evakuohen të gjithë ata që e kanë të nevojshme”.
Ish-lideri Laburist shkroi në sitin e tij: “Ne duhet të evakuojmë e t’u japim strehë atyre për të cilët kemi përgjegjësi, ata afganë që na ndihmuan dhe qëndruar përkrah nesh, e që kanë të drejtën të kërkojnë që ne të qëndrojmë përkrah tyre”.
Ai shtoi se kjo nuk duhet bërë “me inat, por nga një ndjenjë e thellë humanizmi dhe përgjegjësie”.
Të dielën, Ministria e Mbrojtjes tha se shtatë civilë afganë kanë vdekur mes turmave kaotike jashtë aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit afgan.
Në postimin e tij, Blair shkruan se vendimi për tërheqje u nxit nga politika dhe iu referua përfundimit të “luftërave të përjetshme”, një frazë e përdorur nga Presidenti Joe Biden gjatë fushatës elektorale. “Ne nuk kishim nevojë ta bënim. Ne zgjodhëm ta bënim”, shkroi Blair.
“E bëmë në ndjekje të një slogani idiot politik për përfundimin e ‘luftërave të përjetshme’, sikur angazhimi ynë më 2021 të ishte qoftë edhe një fije i krahasueshëm me përkushtimin e 20 apo edhe 10 vjetëve më parë, dhe në rrethana në të cilat numri i trupave është ulur në minimum dhe asnjë ushtar aleat nuk ka humbur jetën në betejë për 18 muaj”.
SHBA ka planifikuar 31 gushtin si afatin përfundimtar të tërheqjes, por Biden tha se trupat mund të qëndrojnë pas kësaj date për të ndihmuar me evakuimin.
Blari pranoi se në Afganistan janë bërë gabime, por “reagimi për gabimet fatkeqësisht ka qenë me gabime të tjera”. Ndonëse jo perfekt, por “përfitimet e vërteta gjatë 20 vjetëve” nuk duheshin humbur. Rusia, Kina dhe Irani do të përfitojnë, shtoi Blair.
Presidenti Biden ka premtuar se “çdo amerikan që dëshiron të kthehet në shtëpi, ne do ta kthejmë”, por e përshkroi evakuimin si një nga më të vështirët në histori.




