Pas rezolutës së Parlamentit Evropian edhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por topi tashmë ngelet në dorën e dy kryeqyteteve në një klimë aspak miqësore në dialog.
Edhe sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ka bërë thirrje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryediplomati amerikan pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti tha se Uashingtoni e mbështeste dialogun Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Krahas Amerikës edhe Parlamenti Evropian miratoi këtë muaj rezolutën për përmbylljen e procesit të dialogut me njohje reciproke.
Kjo ishte hera e parë që një dokument ku përmendej njohja reciproke hynte në borderotë e Brukselit që nga zanafilla e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
E megjithatë, dialogu në Prishtinë e Beograd duket se ka ngecur dhe herë pas here bëhet më i vështirë për shkak se asnjëra nga palët nuk lëshon ndaj tjetrës.
Takimi me Blinken, Kurti kërkon më shume investime amerikane në Kosovë. I dërguari i Brukselit për dialogun, Mirosllav Lajçak bëri me dije më herët se gjatë muajit korrik kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç do të zhvillonin një takim të nivelit të lartë.
Por mes situatës së tensionuar të dy kryeqyteteve, takimi nuk ndodhi dhe as u mor në konsideratë nga dy liderët, sidomos në Beograd. Ndër të tjera sekretari Blinken bëri thirrje se SHBA do të mbështeste integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.




