LSI kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë pas bllokimit të shërbimeve online. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi sot se shteti ka rënë totalisht dhe kryeministri dhe qeveria duhet të dorëhiqen urgjentisht në bllok. Sipas tij, asnjë element i sigurisë kombëtare nuk ekziston më dhe terrorizmi, krimi i organizuar dhe trafikantët i kanë të gjithë këto të dhënat në duart e tyre.
STATUSI I PLOTË
“Qeveria të ikë, Shteti ka rënë totalisht, shpartallohet qëllimisht shërbimi on-line! Qëllimet shumë të mbrapshta të qeverisë fusin duart te shërbimi publik on line. Vetëm pak kohë më parë Edi Rama çirrej e bërtiste për funksionimin perfekt të këtij shërbimi. Pas publikimit të skandaleve shumë të rënda korruptive, “ papritmas” shërbimi on line bllokohet një të diel vere. Asnjë shqetësim nuk pati dhe asnjë masë nuk u mor nga Rama dhe qeveria kur miliona të dhëna dolën rrugëve që nga kartat e identitetit, rrogat e qytetareve, targat e makinave, numrat e telefonit.
Shteti ka rënë totalisht ndaj kryeministri dhe qeveria duhet të dorëhiqen urgjentisht në bllok. Asnjë element i sigurisë kombëtare nuk ekziston më dhe terrorizmi, krimi i organizuar dhe trafikantët i kanë të gjithë këto të dhënat në duart e tyre. Të gjitha dokumentet e hedhura në sistem janë duar të të korruptuarve, që mund të zhdukin çdo lloj dokumenti që duan. Të gjitha shërbimet për qindra mijëra e miliona qytetarë brenda dhe jashtë vendit janë bllokuar. Shteti ka rënë përfundimisht qeveria nuk mund të rrijë asnjë sekondë më tej.”




