Dy shqiptarë të Kosovës, me origjinë nga Suhareka, kanë vendosur të luftojnë në krah të trupave ukrainase kundër Rusisë. Ata janë Maliq Beluli dhe Ali Shala, të cilët ndodhen në pikën kufitare të Medykas, mes Ukrainës dhe Polonisë.
Të pyetur përse vendosën t’i bashkohen luftës, ata thanë se kishin dëshirë të solidarizoheshin me popullin ukrainas, pasi janë prekur shumë nga pamjet që kanë parë në media.
“Arsyet janë thjesht humane, na kanë prekur këto pamje, kemi edhe një armik të përbashkët. Unë kam qëndruar gjatë luftës në Kosovë, kam bërë edhe shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi”, tha Beluli.
“Krejt shtetet e BE e kanë përkrahur Ukrainën, kishim qejf të solidarizoheshim edhe ne. Përvoja e luftës në Kosovë na ka njohur të gjithë me kushtet”, u shpreh Shala.
Kujtojmë se Kosova dhe Shqipëria nuk i lejojnë qytetarët e tyre të marrin pjesë në luftë për shtete të tjera. Në Kosovë, dënimi për pjesëmarrje në luftë është nga 3 në 15 vite burgim.




