Kryeministri Edi Rama kam reaguar pas deklaratës që ka bërë deputeti demokrat Agron Shehaj, në fjalën e tij sot në Kuvend, ku është shprehur se prej tre javësh biznesi i është bllokuar nga Policia me shirita dhe rreth 200 punonjës nuk lejohen të shkojnë në zyrat e tyre.
Rama thotë se ka pyetur autoritetet përkatëse menjëherë pas deklaratës, dhe sqaron se pallati ku ndodhej dhe biznesi i deputetit Agron Shehaj, ka qenë pa leje dhe është konfiskuar. Madje, referuar reagimit të tij, pronari i objektit pa leje pretendonte se e kishte hotel.
“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!
Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!
Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka”, shkruan Edi Rama.




