Nisur nga ndihma që kanë ofruar kamarierët në Shkodër për familjen e Musaen Zenelit, i cili humbi jetën në ditën e parë të punës në ngjarjen e rëndë në Velipojë, gazetari Enkel Demi, e ka konsideruar tragjike jo vetëm këtë ngjarje, por fatin e të gjithë të rinjve, që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri me punë të ndershme. Gjatë një momenti në emisionin “ABC e Mëngjesit”, ai u shpreh se qeveria nuk do t’ja dijë për këta të rinj që e shohin jetën në sy dhe ky është një tmerr.
Sipas Demit, është mbytur shpresa e të gjithëve dhe ky është një problem i madh.
Fjala e plotë e Enkel Demit:
Kjo ngjarje është tragjike sepse këta çuna siç është Musaeni, siç është Rehyli e të tjerë, kanë zgjedhur që të jetojnë duke punuar. Kanë zgjedhur që të jetojnë në mënyrë të ndershme. Shumë djem të moshës së Musaenit apo pak më të rritur shkojnë e punojnë tek shtëpitë e barit në Angli, ose merren në Shqipëri me lloj lloj punësh të paligjshme dhe mund t’i gjejmë nëpër rrugët e Shqipërisë me makina luksoze, por për fat të keq e kanë jetën e shkurtër, sepse i futen një rruge pa krye. Por kur një njeri me punë të pandershme e pëson, kjo bën që të zbehet shpresa dhe pastaj jepet një mesazh tek të gjithë të tjerët ‘pse duhet me punu kamarierë, pse duhet me punu punëtorë ndërtimi. Në fund fare o t’ia mbathim, ose të merremi të gjithë me gjirizin e shoqërisë që të mbijetojmë. Kjo është tragjedia, Musaeni në këtë rast nuk përfaqëson vetëm familjen e vet, përfaqëson edhe Rehylin, edhe të gjithë ata njerëz të cilët e shohin jetën në sy, nuk ulin kokën për ta parë jetën. Kjo është një tmerr dhe akoma më e tmerrshme bëhet kjo kur të del një kryeministër dhe i përcakton këta si numër dhe thotë ‘nuk e kemi kaluar limitet’. Se limitet i përcakton Ed Rama, 3, 4 eleminime nuk janë ndonjë gjë e madhe.
Kuptohet nuk e shqetëson njëri atë në Surrel, se ai lëviz me 10 makina, mbrohet, por këta njerëz që punojnë e kanë kaluar limitin. Nëna e Musaenit e ka kaluar limitin njerëzor dhe nesër pasnesër dhe të afërmit tanë mund ta kalojnë limitin dhe larg o zot ta kalojnë familjet tona limitin. Kjo është ajo që të shqetëson dhe ndërkohë Ard Veliu thotë nuk kam faj, Bledi Çuçi thotë s’kam faj. Edi Rama s’ka e s’ka dhe këtu mbytet shpresa.




