Në të gjitha qendrat sociale është shtruar një drekë festive për njerëzit në nevojë nga Bashkia e Tiranës, për festën e Kurban Bajramit.
Teksa shërbente në Qendrën Komunitare “Gonxhe Bojaxhi” në zonën e Bregut të Lumit, kryebashkiaku Erion Veliaj uroi besimtarët myslimanë.
“Gëzuar Kurban Bajramin! Është gjithmonë kënaqësi sa herë rikthehem në qendrat tona sociale. Këtu në Bregun e Lumit jemi ngritur në këmbë edhe me shtëpitë e reja që po ndërtojmë, edhe me këtë qendër sociale, ku kujdesemi si një familje për princeshat dhe princërit e vegjël. Në festa si kjo e sotmja, qoftë Kurban Bajrami, qoftë ndonjë festë tjetër, pavarësisht besimit që kemi, tregojmë se jemi anëtarë të një komuniteti”, tha Veliaj.
Ai shtoi se do hapen qendra të reja komunirare për tu qëndruar pranë njerëzve në nevojë.
“Kemi ndërtuar një qendër fantastike në Kombinat, do të shtojmë një në Laprakë dhe në secilën prej lagjeve të reja që po ndërtojmë për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti. Në qoftë se nga fatkeqësia dalim më të mirë seç ishim, do të thotë se fatkeqësinë e kemi kthyer në një mundësi”, tha kryebashkiaku.
Erion Veliaj thekoi se familjet që preken nga procesi i rindërtimit, do të kompensohen 100 përqind, ndërsa “thumboi” edhe opozitën.
“Mezi pres të kthehemi në këtë lagje gjithmonë e më shumë të rindërtuar, gjithmonë e më shumë të bukur e të sistemuar. Më vjen mirë që familjet e para kanë hyrë te lagjja e re te “5 maji”, do të vazhdojmë edhe me familjet e tjera. Edhe për ata që i kishin ndërtuar shtëpitë më herët, do të përfitojnë po aq metra katrorë sa kishin. Duam të sigurohemi që asnjë nuk del i humbur nga përpjekja për të rindërtuar pas tërmetit. Por, do shumë durim dhe shumë besim. Në qoftë se dyshojmë te njëri-tjetri, nëse për çdo gjë vëmë në pikëpyetje njëri-tjetrin, atëherë jemi shoqëri pa besim. E di që ka edhe politikanë që mbjellin sherr, helm dhe ndasi mes nesh – që thonë shtëpitë s’do bëhen kurrë apo shkolla “Sami Frashëri” do ndëtohet në Paskuqan – por këto janë gënjeshtra me bisht. Po të kemi besim te njëri-tjetri, po të ndihmojmë dhe të inkurajojmë njëri-tjetrin, mund të bëjmë dhe do të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, përfundoi ai.




