Flakët te Sarajet/ Plani Rama-Veliaj për të ngritur Kulla me muze brenda…

0
137

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama, më në fund po realizojnë planin e tyre për ndërtimin e kullave, tek trualli i godinës së Sarajeve. Shpronësimi i godinës së Sarajeve, ka qënë një plan i vendosur nga Veliaj dhe Rama që në fillim të vitit 2020. Ata nën preteksin e kthimit të godinës në muze, u përpoqën të shpronësonin me forcë pronarët e godinës.

Tashmë me djegien e godinës gjithçka u bë më e lehtë.

Veliaj u shpreh të martën në Twitter se zjarri në godinën e Sarajeve, ishte i qëllimshëm nga politikanët ‘e shqetësuar ditën për popullin’, ai u shua nga zjarrëfikësit e Bashkisë dhe mbi të gjitha: Sarajet do të shpronësohet dhe do të shpallet muze. Madje Veliaj në mënyrë bindëse u shpreh se ‘ta harrojnë që aty do të ketë ndërtim’. Kryebashkiaku ka paralajmëruar tre herë shpronësimin e godinës. Në janar 2020, i ftuar në emisionin Opinion, ai u shpreh se pronarët do të shpronësohen dhe godina do të kthehet në muze. Të njëjtën deklaratë Veliaj e ka bërë dhe në maj, 2020 pas shembjes së Teatrit Kombëtar, duke thënë se shtëpitë e Libohovitëve dhe Sarajet do të shpronësohen për tu kthyer në muze.

Ndërsa në intervistën e dhënë në shtator 2020, Veliaj nuk e përmendi më kthimin e tyre në muze. Pohimi i thënë në mënyrë të shkujdesur i Veliajt, pa përmendur se çdo të bëjë me dy ndërtesat e shpronësuara, me shumë gjasa zbulon një projekt korruptiv grabitjeje, të cilin kryeministri Rama ka kohë që e ka planifikuar. Rama, në bashkëpunim me një nga oligarkët më të mëdhenj të vendit, ka planifikuar që në truallin e ndërtesës Sarajet, të ngrejë një kullë rreth 45 kate të lartë, një koncept, idenë e së cilës e ka parë Exit News. Për shumë vite zhvilluesi i zgjedhur nga Rama, është përpjekur ta blejë ndërtesën dhe truallin nga trashëgimtarët e familjes Kazazi dhe degëzimët pasardhës të saj, familjes Kosova, por ka hasur pengesën e një prej trashëgimtarëve i cili nuk ka pranuar ta shesë pavarësisht çmimit të blerjes.

Duke qenë se kjo pengesë ka qenë e pakalueshme, Rama dhe Veliaj duket se tani kishin hartuar një plan dinak për të realizuar ndërtimin, i cili tani mund të vihet në veprim me shumë lehtësi. Ata do ta shpronësojnë me justifikimin e ruajtjes dhe me pretekstin se duhet për muze që është një interes publik, dhe në një hap të dytë do ta tjetërsojnë pronën e bërë publike në favor të ndërtuesit privat. Me gjasa, skema që do të përdoret është ajo që Rama dhe Veliaj po përdorin kudo: do ia japin tokën publike oligarkut, me marrëveshje që katet e para të jenë muze në pronësi të bashkisë, ndërkohë që zhvilluesi do të gëzojë të gjithë pjesën tjetër.

Ndërtesa 45 kate e lartë është pjesë e projektit Rama -Veliaj për ndërtimin e të gjithë zonës nga rruga para Ministrisë së Brendëshme deri tek rruga para godinës së vjetër të PD-së, pra përballë qendrës Toptani, duke krijuar kështu, së bashku me ndërtesat ekzistuese Torre Drini, Gjergji Center dhe Eurocol, një bllok të dendur ndërtesash të larta.

Zjarr Tv Ad