Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ditën e djeshme u shpreh se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka “duar të përgjakshme”, për shkak të mbështetjes për Izraelin në luftë me Gazën.
Komentet e Erdoganit, janë ndër më të ashprat kundër Presidentit Biden, prejse ky i fundit ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë, në muajin janar, shkruan AFP.
“Ju po e shkruani historinë me duar të përgjakshme”, tha Erdogan në një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv.
“Ju na detyruat ta themi këtë, sepse ne nuk mund të rrimë më të heshtur”, tha Erdogan. “Territoret palestineze janë të mbushura me përndjekje, vuajtje , si shumë territore të tjera që humbën paqen me fundin e Otomanëve. Dhe, ju po e mbështesni këtë”, tha Erdogan. Dhuna midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës është përshkallëzuar javën e kaluar. Mbi 200 palestinezë kanë humbur jetën, kanë raportuar autoritetet në Gaza. Në Izrarel, zyrtarët kanë thënë se 10 vetë kanë humbur jetën.
Administrata Biden, ka thënë më herët se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se populli palestinez ka të drejtë në siguri. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se SHBA-ja po punon “intensivisht” prapa skenave për t’i dhënë fund kësaj lufte.




