Protesta e datës 7 korrik e organizuar nga “Foltorja” e ish-kryeministrit Sali Berisha, synon rrëzimin e qeverisë “Rama 3”. Deputetët demokrat u kanë bërë thirrje qytetarëve që ti bashkohen kësaj proteste.
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të dalin në protestë në 7 korrik për të reaguar së bashku kundër një qeverie, e cila sipas tij po i vjedh shqiptarët.
Në një intervistë televizive, Bylykbashi ka theksuar dje se kauzat për të cilat PD ka thirrur protestën janë kauza të të gjithë qytetarëve shqiptarë; duke nisur nga bordet komuniste që përcaktojnë çmime, tek taksat e larta, tek mungesa e mbështetjes për shtresat në nevojë e deri tek korrupsioni i pushtetarëve.“Sigurisht që ne jemi ty për të udhëhequr këtë pakënaqësi të qytetarëve dhe protesta është pikërisht një kambanë e fortë për ti thirrur të gjithë drejt nevojës për ta ndryshuar këtë regjim kleptokratik dhe oligarkik.
Qytetarët sot po vuajnë në të gjitha aspektet, qeveria po I vjedh po I grabit ditën për diell me mekanizma si këto bordet e transparencës që janë vendosur për të grabitur shqiptarët, ndërkohë që qeveria rezulton me fitim, merr para nga taksat për shkak të çmimeve të rritura nga qytetarë që varfërohen përditë e më shumë, po vendos sisteme taksimi edhe mbi shtresën e mesme, mbi biznesin, pra po I varfëron të gjitha shtresat”, tha ai.
Për Bylykbashin 7 korriku është momenti kur edhe deputetët e partisë demokratike duhet të bashkohen për të qëndruar në krah të qytetarëve. “Të gjithë ne e kemi për detyrë që të bashkohemi në këtë sfidë të madhe për të rrëzuar Edi Ramën. Kështu që unë mendoj që është një moment shumë I mirë që të gjithë të kuptojnë që bashkohemi me qytetarët, bashkohemi së bashku, objektivin e kemi të përbashkët për të bërë një opozitë të fortë dhe të vërtetë dhe 7 korriku është një moment për gjithkënd që të tregoje se ne jemi me zgjedhësit, nuk jemi me interesat”, tha ai.
Paloka: Le ta ndryshojmë fatin me 3 shtatat
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka e ka krahasuar protestën e 7 korrikut të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha me numrat e fatit në bixhoz.“Numrat e fatit . Le ta ndryshojmë fatin tonë me 7-7-7”, shkruan Paloka në Facebook. Ndërkohë, deputeti tjetër i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka publikuar mesazhin që i ka dërguar një mësuese, ku thotë se janë urdhëruar që të shkojnë në punë më 7 korrik, dita e protestës së thirrur nga opozita. Boçi shkruan se kryeministri Edi Rama e di mirë se ç’domethënë kjo protestë, ndaj është sulur me hordhinë e tij me bllokime e kërcënime. Sipas tij, mësuesit e qytetarët në datën 7 do jenë në bulevard.“Tmerri që vjen nga protesta. Rama e di mirë se ç’domethënë protesta e 7 Korrikut. Tmerri e paniku ndaj saj është i prekshëm. Për ta penguar atë ai nuk përdor thjesht ndryshimin gënjeshtar ditor të çmimit të karburantit. Ai e di që joshja nuk mjafton. Ndaj është sulur me hordhinë e tij me bllokime e kërcënime. Këtë po bën me mësuesit. Megjithëse zyrtarisht ata janë me pushime urdhërohen nga drejtuesit të paraqiten me forcë në shkollë, kundër çdo ligji e kodi dhe sidomos të jenë prezent në datën 7 Korrik. Lexoni mesazhin. Por e ka kot! Mësuesit e qytetarët në datën 7 do jenë në bulevard. Shqipëria në rrezik. Të gjithë bashkë do t’ia dalim. 7/7 ora 7, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Bashkohu me frontin për shpëtimin e Shqipërisë”, deklaroi Boçi.




