Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ishte i ftuar në emisionin ‘’Frontline’’ në News24, ku foli për zgjedhjet për kryetar në PD-së, që do të mbahen më 13 Qershor.
Teksa tha se mbështet Lulzim Bashën, duke sqaruar dhe arsyet, Gjekmarkaj ironizoi kandidatët e tjerë përballë Bashës, duke u shprehur se PD nuk është ”call-center” dhe s’mund të kandidojnë figura të vogla me ambicie komike.
“Në PD nuk mund të përsëritet skema e Edi Ramës me sondazhe të trukuara e të tjera mekanizma. Ose të ketë figura të vogla me ambicie komike. PD nuk është call-center”, u shpreh Gjekmarkaj.
Më tej, Gjekmarkaj deklaroi se Basha momentalisht, është dukshëm fitues dhe protagonist dhe detyra e tij tashmë, është të marrë mandatin e të mbrojë Partinë, ndërsa kandidatët e tjerë janë për ambicie personale në garë.
“Detyra e Bashës është të marrë mandatin dhe të mbrojë partinë nga agersioni ku ndodhet. Kandidatët e tjerë? Ndonjë bën zhurmë për t’i rritur “piacen” emrit të tij. Normale dhe kjo, por pa ndonjë dobi publike’’– shtoi Gjekmarkaj.
Sipas tij, Zgjedhjet e 25 Prillit, ishin më të manipuluarat në 30 vite demokraci dhe për këtë s’ka pse të fajësohet apo akuzohet Basha, ose t’i kërkohet dorëheqja si kryetar i PD. Ndërsa për shpalljen “non grata” të Berishës, Gjekmarkaj ripërsërit se ishte një aksident dhe nuk do dëshironte kurrë që Rama apo ndonjë përfaqësues i PS t’i ndodhte e njëjta gjë.



