Ministrja e Arsimit Evis Kushi, falenderon dy nismëtarët që bënë të mundur që gjuha shqipe të jetë lëndë me zgjedhje në Universitetin e Harvardit.
“I përgëzoj dhe falënderoj nga zemra Faton Limani dhe Eva Stathi Misho për këtë nismë patriotike”, shkruan ministrja, ndërsa thotë se kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të huajt të cilët janë të apasionuar për të mësuar më shumë rreth gjuhës dhe kulturës sonë.
Shënimi i ministres Evis Kushi
Ju uroj mirëmëngjes me lajmin e bukur që gjuha jonë shqipe, një ndër më të vjetrat në botë, gjuhë zyrtare në tre shtete, tashmë do të jetë lëndë me zgjedhje në Universitetin e Harvardit në të treja nivelet (fillestare, bazë dhe e thelluar).
I përgëzoj dhe falënderoj nga zemra z. Faton Limani dhe znj. Eva Stathi Misho për këtë nismë patriotike, e cila përveçse do të konsolidojë akoma më shumë vendin që gjuha shqipe ka midis gjuhëve të tjera të botës, por do të jetë edhe një mundësi e shkëlqyer për të huajt të cilët janë të apasionuar për të mësuar më shumë rreth gjuhës dhe kulturës sonë.




