Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar hetim të menjëhershëm për rastin në Deçan, ku 428 janë helmuar dhe shkak dyshohet që të jetë uji.
Mediat kosovare bëjnë me dije se një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë.
“Pas lajmit shqetësues për helmimin e një numri të madh të qytetarëve të komunës së Deçanit, kam biseduar me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të cilët më kanë njoftuar për gjendjen e qytetarëve të helmuar dhe masat që janë marrë nga niveli qendror dhe komunal për t’ju qëndruar pranë qytetarëve të prekur.
Pres nga të gjitha institucionet angazhim të mëtejmë e të plotë në ofrimin e trajtimit adekuat shëndetësor për qytetarët e helmuar, si dhe zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në helmimin e qytetarëve. Një hetim nga organet e drejtësisë është i domosdoshëm dhe duhet të trajtohet me urgjencë.
Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalim të kësaj situate pa pasoja. Si Presidente e Republikës do të mbaj kontakte me të gjitha institucionet qendrore dhe komunale për t’u informuar lidhur me masat e ndërmarra për adresimin e këtij rasti shqetësues për shëndetin e qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo.




