Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i zhgënjyer nga votimi i projektligjit për shërbimin e jashtëm në komisionet parlamentare

0
0

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ndoqi me vëmendje të veçantë diskutimet e zhvilluara në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për Politikën e Jashtme mbi projektligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe shpreh shqetësimin dhe keqardhjen e thellë që asnjë nga shqetësimet dhe sugjerimet e ngritura gjatë dy viteve të fundit nga KASH, si dhe nga personalitete të shquara të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk u morën në konsideratë nga përfaqësuesit e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga deputetët e shumicës parlamentare.

KASH shpreh gjithashtu keqardhje për mungesën e vullnetit politik nga ana e qeverisë dhe shumicës parlamentare për ta trajtuar këtë projektligj me konsensus dhe në mënyrë bipartizane, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ligj me interes të lartë kombëtar dhe shtetëror, e jo thjesht partiak.

KASH vlerëson se, ashtu si edhe me miratimin e ligjit në vitin 2015, shumica parlamentare vijon ta trajtojë dhe ta konsiderojë Shërbimin e Jashtëm si pjesë të saj, duke shprehur qartazi kundërshtinë ndaj ndërtimit të një shërbimi diplomatik profesional, të qëndrueshëm dhe me mbështetje konsensuale e bipartizane. Trupa diplomatike duhet të jetë në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe jo të partive në pushtet.

Ndërkohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë shumë profesionale, me kontribute të spikatura në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilën bëjnë pjesë ish-ministra të Jashtëm, ish-ambasadorë, ish-sekretarë të përgjithshëm të MPJ-së apo ish-drejtorë politikë, iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në një seancë të posaçme dëgjimore në Komisionin kuvendor për Evropën dhe Politikën e Jashtme, e kërkuar zyrtarisht prej KASH-it, për të mbrojtur një investim të bërë ndër vite për një diplomaci profesioniste, të karrierës, të kërkuar që në fund të viteve ’90 nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare që ta tërheqin projektligjin dhe ta rihapin procesin e shqyrtimit të tij në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bipartizane, duke marrë seriozisht në konsideratë sugjerimet dhe rekomandimet e atyre që kanë dhënë dhe vijojnë të japin një kontribut të vyer në politikën e jashtme dhe në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të vendit. Një qasje e tillë do të ndihmonte në konsolidimin e një trupe diplomatike profesionale, të depolitizuar dhe që gëzon mbështetje të gjerë institucionale dhe shoqërore.

KASH vlerëson se, i miratuar në këtë formë, projektligji do ta dëmtojë edhe më tej sistemin e karrierës diplomatike, do ta politizojë skajshëm atë dhe do të kultivojë ndjenjën e pasigurisë së përhershme politike te diplomatët e karrierës. Një shërbim diplomatik i tillë rrezikon të perceptohet si i paragjykuar dhe krijon një precedent negativ për çdo rotacion politik të ardhshëm, duke cenuar seriozisht vazhdimësinë dhe kredibilitetin e diplomacisë shqiptare.

Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj në formën e miratuar dhe të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Njëkohësisht, KASH informon opinionin publik se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale dhe ligjore, përfshirë edhe adresimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese, në mbrojtje të parimeve kushtetuese, të shtetit të së drejtës dhe të një shërbimi të jashtëm profesional, të depolitizuar dhe në shërbim të interesave afatgjata kombëtare të Shqipërisë.

Zjarr Tv Ad