




Deputeti më i ri në Kuvend, Petrit Doda, i cili ka marrë vendin e Alfred Rrushaj nuk do të regjistrohet në grupin parlamentar të PD-së, por si deputet i pavarur.
Ai theksoi se këtë vendim ia ka komunikuar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka. Ai thekson se do mbetet deputet i opozitës dhe nuk pranon të bëhet vegël në duart e kryeministrit Edi Rama.
“Unë shkova në Parlament si deputet i opozitës, demokratët më kanë mbështetur. Ngelem deputet i opozitës, por nuk jam as vegël e Edi Ramës dhe as nuk dua të prish balancat brenda grupeve. Ato duhet të bashkohen dhe të çojmë demokratët në pushtet. Krerët i kanë punët e tyre në terezi. Ndërsa demokratët janë në rrugë të madhe, janë pa punë, pa pensione. Unë nuk dua të prish balancat”, tha Doda.
Deputeti Doda theksoi se nuk bën pjesë në grupin parlamentar të Alibeajt, por shtoi se demokratët duhet të bashkohen në betejën e tyre të përbashkët, që sipas tij është rrëzimi sa më parë i kryeministrit Edi Rama.





“Unë u futa në listën e kandidatëve me siglën e Legalitetit dhe vendimin e kam konsultuar edhe me Princ Lekën dhe deputetët më të vjetër. Vendimin tim ia kam komunikuar edhe Flamur Nokës. Ai ka për qëllim të bëjë riformatim. Unë nuk jam me grupin e Alibeajt, është keqinterpretuar. I kam kolegë dhe i respektoj. Unë u kam thënë “pajtohuni me demokratët të rrezojmë regjimin e Edi Ramës”. shtoi ai.









