Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj u thirr në interpelancë në mbledhjen e kësaj të premteje në Komisionin e Ekonomisë. Ajo nuk arriti t’u përgjigjej pyetjeve kryesore lidhur me krizën e çmimeve dhe investimet publike. Pyetjet e deputetit socialist, Erion Brace e gjetën të papërgatitur ministren, e cila kërkoi 4 ditë kohë. Ndërsa për koncensionet, ajo tha se do të vijojnë të mbeten të paprekura, deri në skenarët më të këqinj.
Paketa e Rezistencës së qeverisë u shqyrtua këtë të premte në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Ndonëse qëllimi i interpelancës ishte që ajo t’u jepte përgjigje pyetjeve të ngritura nga anëtarët e komisionit lidhur me krizën dhe përballimin e saj, Ibrahimaj u kap e papërgatitur. Pyetjeve të deputetit socialist Erion Braçe lidhur me rritjen e çmimeve dhe investimet publike nuk morën një përgjigje nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, e cila kërkoi kohë..
Ministrja Ibrahimaj do të japë përgjigje 4 ditë më vonë në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ekonomisë. Ndërkohë, teksa trumbetoi paketën sociale, duke thëne se janë vënë në dispozicion 28 miliardë lekë për përballimin e çmimeve të energjisë elektrike, Ibrahimaj tha se qeveria po përgatitet për skenarët më të këqinj, dhe vetëm atëherë mund të ketë edhe një rishikim të koncensioneve. Ajo i quajti sektorë joprioritarë – arsimin, infrastrukturëne bujqësinë, ku janë shkurtuar fondet per investimet publike, dhe konfirmoi se kontratat PPP korruptive do të mbeten të paprekura deri në vijën e kuqe.
Pezullimin e pagesave për PPP ia kërkoi ministres edhe deputetja Jorida Tabaku. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë për ndryshimet në buxhet për përballimin e krizës së çmimeve, deputeti socialist Erion Braçe kishte disa pyetje për ministren Ibrahimaj:
“Sa të ardhura do të vijnë nga rritja e çmimeve? Sa do të ulen të ardhurat e familjeve nga rritja e çmimeve?
Sa do të cenohen investimet publike nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, dhe a është bërë një analizë për gepin që krijohet dhe që duhet të mbulohet nga fonde shtesë buxhetore, me rrezikun që një pjesë e investimeve mund të amortizohen dhe kërkojnë fonde të tjera shtesë?
Sa cenohet rritja ekonomike për këtë vit? Për prodhimin vendas çfarë parashikon akti, se vërtet kemi paketën e rezistencës por nga ana tjetër kemi një problem që është prodhimi vendas?”, pyeti Braçe. Ministrja u shpreh se do t’i shqyrtonte pyetjet për t’i kthyer përgjigje




