Pasi u gjobit për shkelje të përsëritura të Kodit Zgjedhor, kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar ashpër duke sulmuar opozitën edhe pse në fakt gjobën e ka vendosur Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Veliaj tha se ai po gjobitet sepse “po bën punë”, duke i’u referuar rindërtimit të banesave të dëmtuara ose shembura nga tërmeti. Në fakt, Erion Veliaj nuk është gjobitur për ndërtimin e shtëpive, por për propagandën që bën nëpër televizione, kur u dorëzon banesat qytetarëve të dëmtuar, duke bërë fushatë për Partinë Socialiste.
Këto lloj aktivitetesh janë të ndaluara pak muaj përpara zgjedhjeve, ndaj edhe kryebashkiaku është gjobitur, sepse KQZ ka konstatuar se daljet e tij publike janë në shkelje të Kodit Zgjedhor.
Veliaj reagoi menjëherë në Neës24, dukshëm i acaruar, duke sulmuar me akuza të rëndë opozitën dhe duke thënë se Lulzim Basha “u bë me 5 vila në pandemi”, deklaratë kjo e përsëritur, për të cilën kreu i opozitës e ka paditur kryebashkiakun.
“Ka qenë një akuzë nga opozita, janë në situatë të dëshpëruar. Kërkojnë të ndalojë puna në Tiranë. Kjo do të apelohet, por besoj se ka diçka të pandershme, në një situatë që gjobitesh se punon dhe nuk gjobitesh nëse bëhesh me pesë vila në kohë pandemie, përkundrazi mund të kandidosh për kryeministër.
Ka dicka thëllësisht amorale ne këtë sjellje, por do ta apeloj sepse besoj se ka një drejtësi në apel.
Është detyrë funksionale e kryetarit të Bashkisë të bëjë punën e vet.
Kemi humbur 30 vite me Lulin dhe Monikën, nuk duhet të humbasim as tre minuta.
Kjo është një gjobë përse njerëzit janë futur në shtëpi dhe nuk rrinë në çadër që Luli dhe Mona t’i kenë garnityrë për fushatën e tyre patetike.
Kam pesë ditë për ta apeluar, por apeli më i madh i duhet bërë shoqërisë, që jemi katandisur në një situatë që diksuh që ka shtuar pesë vila në pandemi, kandidon për kryeministër, dhe diksuh që fut njerëzit në shtëpi gjobitet“, është shprehur Veliaj.




