Monika Kryemadhi deklaroi se rikthimi në qeli i Alqi Bllakos u bë me qëllimin e vetëm për të larguar vëmendjen nga inceneratori i Tiranës.
Përmes një interviste të dhënë për Syri Tv, Kryemadhi theksoi se ajo do të vijojë të merret me denoncimin e aferës së inceneratorëve dhe sfidoi qeverinë dhe kryeministrin Rama që t’i tregojnë investimin 128 milionë euro të bërë në landfillin e Sharrës.
“Alqi Bllako u rikthye në qeli për të larguar vëmendjen nga ajo çfarë po ndodh me inceneratorin e Tiranës. Unë do të vazhdoj të merrem me inceneratorin e Tiranës, jo vetëm me skemën abuzive të mashtrimit financiar, por dhe me kostot fiktive të inceneratorit të Tiranës.
Unë do të vazhdoj të merrem me iniceneratorin e Tiranës dhe me kostet e fryra. Nëse Edi Rama dhe Erion Veliaj, por dhe i gjithë ekipi i kësaj skeme financiare të plehrave ndihen të sigurt se kanë bërë 128 mln euro investim në landfillin e Sharrës, bujrum unë jam e gatshme që të shikoj ku është ky investim që ata kanë bërë në kontratën e lidhur në gusht të 2017-ës.
Kam menduar se prokurorët të cilët kanë kaluar vetingun, do e ndiqnin këtë çështje. Nuk mendoj se asnjë prej tyre nuk mund të shantazhohej. Çështja e inceneratorëve është kauza për të cilën Rama është kapur me presh në dorë. SPAK i ka të gjitha dokumentet, faturat që kanë kaluar në sistemin bankar. SPAK kur nuk arrin të ndalojë derdhjen e parave tek kompanitë, jo më të zbulojë pronarët që janë offshore.
Të ndalohen pagesat për inceneratorin e Tiranës. E them këtë gjë për një arsye, 10 milionë dollarë në vit, pa llogaritur çfarë paguajnë bashkitë e tjera, këto para iu grabiten qytetarëve. Këto para mund të shërbenin për uljen e çmimit të naftës, ushqimeve të shportës. Nuk pres ndonjë gjë të madhe nga SPAK, por këtë do e vazhdoj. Do vijë një moment që kjo çështje do mbarojë. Sepse borxh pa larë dhe hak pa marrë nuk ka. Është një borxh që Rama dhe Veliaj ua kanë shqiptarëve”, tha Kryemadhi.




