Gjykata Kushtetuese ka marr ditën e sotme vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar, ku ka shfuqizuar ligjin për “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Gjithashtu është shfuqizuar vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar drejt Bashkisë së Tiranës, si dhe është rrëzuar vendimi i Këshillit Bashkiak për shembjen e teatrit.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e të gjitha akteve të rrëzuara deri në hyrjen në fuqi të vendimit të saj.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.




