Lojërat e fatit do shihen si parcelë kanabisi’, Lleshaj ‘porosi’ krerëve të Policisë së Shtetit

0
29

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, thotë se ndërprerja e lojërave të fatit fillon nga ora 00.00 e datës 1 janar.

Në një takim me drejtuesit e policisë në vend ditën e sotme, ministri tha se është informuar për masat e marra nga policia për ndërprerjen e veprimtarisë dhe për faktin se shumë pronarë lokalesh dhe subjektesh të kësaj fushe, kanë marrë masa për ndërprerjen e veprimtarisë.

“Por nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet veprimtari e paligjshme dhe ndalimi i saj bëhet detyrim i rëndësishëm për Policinë e Shtetit. Dhe çdo lokal që ushtron lojëra fati hapur apo fshehurazi duhet të konsiderohet si një parcelë kanabisi. Përgjegjësia ligjore e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë përgjegjësi për administrimin e zonave, drejtuesit e Policisë së Shtetit, administratën tatimore apo zyrtarë të tjerë, do të përballen me masa, në rast se konstatohen shkelje”, u shpreh Lleshaj.

Ai tha se goditet një veprimtari e rëndë kriminale, nëpërmjet të cilës bëhet pastrimi i parave dhe se me ndërprerjen e lojërave të fatit, dobësohet një plagë e madhe sociale.

Lleshaj deklaroi se do të shtohen kontrollet, por kërkoi që edhe qytetarët të bashkëpunojnë, nëse veprimtari të tilla do vijojë në ditët në vijim.

Po ashtu ministri kërkoi shtimin e masave për festën e ndërrimit të viteve dhe ndalimin e fishekzjarreve dhe lëndëve plasëse piroteknike, ku shpesh sipas tij, zhurma e tyre ngatërrohet edhe me atë të armëve.

Zjarr Tv Ad