Lulzim Basha ka reaguar për herë të pas dorëhejqes që dha dje si kryetar i Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale, Basha kujton 22 Marsin e vitit 1992, kur PD mori fitoren e parë në zgjedhjet pluraliste.
Ai shkruan se rrugëtimi i PD-së ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por në dekadën e tretë të asaj fitoreje, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes dhe të bashkuar.
Sipas tij, demokratët meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit.
Postimi i plotë:
30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste. Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë dhe i vështirë, me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane.
Në dekadën e tretë të asaj fitoreje historike, demokratët ndodhen përpara betejës për një Parti Demokratike të së ardhmes, të bashkuar mbi vlerat me të cilat kemi lindur, si shpresa e vetme e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Ata sot meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme per t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit.
Gëzuar ditën e parë të demokracisë!




