“Maratona shpirtërore dhe fizike erdhi në fund”, kreu i KMSH-së mesazh: E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës

0
45

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, që shënon edhe fundin e muajit të Madhërishëm të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët kanë agjëruar.

Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, ai thotë se maratonës shpirtërore dhe fizike i erdhi fundi, teksa uron besimtarët që Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin.

Spahiu thotë se i lutet Zotit për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave.

Mesazhi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër!

Maratona jonë shpirtërore dhe fizike e këtij muaji, agjërimi, mbërriti në fund.

Për një muaj kemi ndarë me njëri-tjetrin sofrat në iftar e në syfyr, jemi lutur për vetet tona, por edhe për njëri-tjetrin. Zoti i gjithësisë na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar Ramazani të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!

Bajrami nuk është festa e heqjes së kufizimit për të ngrënë e për të pirë. Bajrami është festë e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë e Tij mbi ne dhe që na përudhi të agjërojmë.

I Lartmadhëruari ka thënë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun, për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare).

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.”

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar. E lusim Zotin t’u ketë pranuar nijetin të gjithë atyre që nuk mundën të agjërojnë këtë muaj për shkaqe shëndëtesore. E lusim Zotin ta begatojë me paqe dhe stabilitet vendin tonë.

Të furnizojë popullin tonë dhe gjithë botën mbarë në këto kohëra vështirësish të mëdha. E lusim Zotin për paqe anë e kënd botës, konfliktet e hapura të mbyllen sa më parë dhe popujt të jetojnë në paqe e mos të vuajnë pasojat e luftërave. Ju uroj përzemërsisht, agjëruesve në veçanti dhe mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Gëzuar Fitër Bajramin!

Zjarr Tv Ad