Avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Maks Haxhia thotë se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk iu ka dhënë materialin, pas përfundimit të hetimeve.
“Kemi kërkuar të njihemi me dosjen që do të gjykohet, por deri tani nuk e kemi marrë materialin”, tha Haxhia për mediat, ditën e sotme.
Gjithçka pasi paraditen e sotme dosja në ngarkim të Tahirit është dërguar në gjykatë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ndërkohë ditën e nesërme në orën 13.00, Tahiri është thirrur për tu njohur me akuzat.
Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuzat e veprave penale “Trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.
Mbyllja e hetimeve ndaj ish-ministrit dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, vjen pasi më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, për të mos zgjatur hetimet me tre muaj të tjerë.
Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.



