Pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e shkollës “Mehmet Akif Ersoy”, duke e quajtur si një gjeopolitizim të arsimit në Shqipëri.
Ai shtoi se pavarësisht se diheshin qëllimet e vendeve fqinje kundrejt Shqipërisë, kryeministri Edi Rama e kishte çuar vendin në një situatë tensionesh.
Reagimi i Ervin Goci:
Këtu nuk është çështja që mbyllet shkolla, çështja është që politizohet arsimi, ose më saktë gjeopolitizohet arsimi; duke e ditur që në Turqi përveç luftës për pushtet ka dhe një përplasje të fuqishme për dogmën, arsimi vlerësohet sipas dogmës fetare.
Dëm dyfish, rrëshqitje me shekujt mbrapa!
Po nuk mbaron me kaq, sepse politizohet dhe gjeopolitizohet misioni i humanitar i shtetit, si me iranianët po ashtu dhe me afganët, duke e kthyer Shqipërinë në kamp lufte.
Duke e ditur dhe çfarë aspiratash të përndritura kanë fqinjët për ne, Edi Rama, e ka çuar Shqiperinë në të njëjtën situatë tensionesh si në fund të shek 19 dhe fillim të shek 20, duke i shtuar dhe Iranin për garniturë.
Nëse nuk ka luftë, ta dini se Shqipërisë po i thyen kockat nga presioni.
E gjitha kjo thjesht për pushtet.
Rishikojeni dhe njëherë atë listën e tradhëtarëve të kombit, se e keni keqkuptuar disi.




