




Tashmë arrestimi dhe hetimi ndaj ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal dhe lidhja e tij më kryeministrin shqiptar Edi Rama, është kryefjalë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mediat e huaja.





Pas “Business Insider”, “New York Times”, “CNN”, ditën e sotme edhe “Mother Jones” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kësaj çështjeje, duke sjellë në vëmendje edhe publikimin e bërë prej tyre në 2018, lidhur me lobimin për Lulzim Bashën në SHBA.





“Mbeten shumë pyetje rreth këtij episodi. Pse qeveria shqiptare ishte kaq e shqetësuar për përpjekjet e lobimit pro PD-së? Çfarë informacioni i kaloi McGonigal-it? A përfshinte financimet që shkuan për Muzin? A e hetoi FBI plotësisht Muzin? A përfshiu ai hetim gjurmimin e origjinës së parave që siguruan lobimin e tij?”, shkruan ndër të tjera “Mother Jones”.
Shkrimi i plotë i “Mother Jones”:





Ishte një lajm tronditës: Charles McGonigal, një ish-shef i kundërzbulimit për FBI-në, u arrestua për rolin e tij të dyshuar në dy skema të veçanta. Në njërën, ai dyshohet se ka pranuar 225,000 dollarë nga një biznesmen shqiptaro-amerikan, ndërsa ishte ende në FBI, dhe i ka bërë favore atij biznesmeni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.





Në anën tjetër, McGonigal, pasi u lirua nga detyra në vitin 2018, dyshohet se i ofroi shërbime hetimore oligarkut rus Oleg Deripaska, i cili u sanksionua në vitin 2018 për asistimin e aktiviteteve globale “keqdashëse” të regjimit të Putinit.





Aktakuzat e McGonigal ngrenë një sërë pyetjesh dhe e kanë nxitur autoritetet të shqyrtojnë veprimet e tij kur ai ishte përgjegjës për monitorimin dhe pengimin e përpjekjeve të inteligjencës të fuqive të huaja (përfshirë Rusinë) që synonin Shtetet e Bashkuara. Në fjalë të tjera, FBI kërkon të mësojë se çfarë nuk ka shkuar mirë dhe ku ka çaluar punonjësi i tyre.





Kryqëzimi i përrallës së McGonigal dhe ai i financimit të lobimit të Muzin nga Biniatta Trade i bën dy histori misterioze edhe më shumë. Një lobist amerikan mori para të lidhura me Rusinë për të ndihmuar një parti politike në një vend të vogël ballkanik.





Dhe një agjent i FBI-së përfshihet në hetimin e atij lobisti, me sa duket me urdhër të një partie rivale shqiptare. Shqipëria, ashtu si Rusia, është shumë e korruptuar, e rrënuar nga akuzat se shumë zyrtarë, duke përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë.





Sagat e bashkuara të Biniatta Trade dhe Charles McGonigal tregojnë se sa lehtë ai korrupsion depërtoi në Shtetet e Bashkuara.








