Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD Lulzim Basha, kanë uruar paraditen e kësaj të enjteje Pavarësinë e Kosovës. Me fotot e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit, presidenti Meta shkruan se dy vendet tona do qëndrojnë “gjithmonë krah njëra-tjetrës”
“Gëzuar Kosovë e dashur! Mirënjohje përjetë Heronjve, Dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës! Gjithmonë krah njëra-tjetrës”, Presidenti Meta.
Edhe kreu i PD Lulzim Basha, kujton 14 vjetorin e Pavarësisë dhe uron shqiptarët kudo në botë.
“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë. Në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë.
Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik.
Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian. Gëzuar Kosovë e dashur”, shkruan Lulzim Basha.




