Presidenti aktual Ilir Meta firmosi sot nga Konsullata shqiptare në Stamboll, lirimin nga detyra të gjeneralit, Bajram Begaj, nga posti i Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, pas kësaj reagoi ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se nuk mund të firmosësh një dekret në një vend të huaj.
Ishte deputeti i PS, Taulant Balla i cili hodhi poshtë akuzat e Sali Berishës, duke thënë se Presidenti Meta ka dhënë dekretin, duke liruar Bajram Begajn nga detyra, në tokë shqiptare, pasi Konsullata shqiptare në Stamboll, njihet si “tokë shqiptare.”
“Kushtetuta është shumë e qartë, raporti i Komisionit të Ligjeve e ka sqaruar. Fantazmat kanë problem me gjeografinë. Të thuash që kjo çështje, që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare, por është turke, është njësoj sikur ka thënë dikur që deti i Shqipërisë është i Greqisë, apo gjykatën e Parisit që e ka bërë gjykatë amerikane se nuk shkon dot vetë në Amerikë.
Procesi është tërësisht Kushtetues. Natyrëshëm që Kuvendi sot ka pritur me seriozitet porocedurën e nisur nga MB, kryeministri dhe Presidenti Ilir Meta. Nëse Berisha është i kënaqur nga Meta dhe do të çojë Metën në Kushtetuese, ta provojë”, tha Balla.




