Qindra automjete, mijëra qytetarë janë derdhur sot drejt malit të Tomorrit në Berat, pasi Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Skraparit njoftuan se në datat 20-25 gusht 2021, në Malin e Tomorrit, organizohet pelegrinazhi tradicional. Ceremonia e këtij aktiviteti, bëhet ditën e diel, sot, më 22 gusht 2021, ora 11:00 në mjediset e teqesë së Kulmakut.
Ndaj, Policia Rrugore e Beratit nisur nga fakti se në aksin rrugor në drejtim të Malit të Tomorit vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Gjithashtu, Policia tha se ” i bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që kanë parkuar mjetet pranë Teqes, të afrohen pranë mjeteve të tyre pasi ka fluks të madh të automjeteve dhe parkimet fillestare do ndryshojnë për të bërë të mundur qarkullimin e automjeteve që janë në ngjitje. Gjithashtu drejtuesit e mjeteve të cilët parkojnë mjetin dhe largohen të vendosin numrin e tyre të celularit në xhamin e mjetit në mënyrë që të telefonohen kur duhet të lëvizin mjetet.”
Policia Rrugore e Beratit ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë.




