“Flet këtu për gishta dhe duar brenda e jashtë zullumit. Ky që vetëm dy gishta ka lart dhe vetë është i zhytur i gjithi.”
Kështu iu përgjigj ministrja Elisa Spiropali kreut të PD Lulzim Basha, pas akuzave të këtij të fundit se Komisioni për hetimin e inceneratorëve po zbardhte përditë ato që ai i quajti aferat e qeverisë me mbetjet. Sipas ministres, Basha ka vetë probleme me drejtësinë dhe quan të tjerët të zhytur në zullum.
“Komisioni po zbardh përditë se pse kryeministri nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia duke ua hedhur fajin vetëm ministrave, të cilët shumë shpejt do përballen me drejtësinë. Njerëzit e kuptojnë fare mirë se koka e këtij korrupsioni gjigant të qeverisë është në fakt koka e qeverisë, është Edi Rama. Komisioni po vërteton se asgjë nuk mund të ndodhë pa mbështetjen, nxitjen dhe miratimin e tij”, tha Basha ndër të tjera.
Por sipas ministres socialiste, ata nuk kanë asgjë për të fshehur. Spiropali deklaroi se ata që kanë probleme me drejtësinë do të japin vetë llogari, ndërsa kërkoi nga SPAK që të nis hetimin e dosjeve të arkivuara që janë dërguar nga Kuvendi, siç është afera për privatizimin e CEZ.




