Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e programit të Lotarisë Amerikane, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Universitetin Brown, ku humbën jetën dy persona.
Sipas autoriteteve amerikane, autori i dyshuar i sulmit ishte një shtetas portugez, i cili u gjet i vdekur të enjten. Ai kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 përmes programit të vizave të Diversitetit (DV-1) dhe më pas ishte pajisur me kartë jeshile.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se pezullimi i skemës është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump, me qëllim “të garantohet që asnjë qytetar amerikan të mos rrezikohet nga një program që ka dështuar”. Ajo e cilësoi programin si “katastrofik” për sigurinë kombëtare.
Programi i Lotarisë Amerikane ofron deri në 50 mijë viza çdo vit, përmes një procesi përzgjedhjeje të rastësishme, për shtetas nga vende me nivel të ulët emigracioni drejt SHBA-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Noem kujtoi se Trump kishte tentuar edhe më parë t’i jepte fund këtij programi, që në vitin 2017, pas sulmit me kamion në New York City, ku mbetën të vrarë tetë persona.
Ndërkohë, autoritetet amerikane dyshojnë se i njëjti person, Neves Valente, mund të jetë përgjegjës edhe për vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline, dy ditë përpara sulmit në Universitetin Brown. Dyshohet se të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve ’90.
Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter Neronha, bëri të ditur se provat e gjetura në një automjet pranë vendit ku u gjet i vdekur i dyshuari përputhen me provat e mbledhura në vendngjarjen e të shtënave në Universitetin Brown. Sipas tij, policia arriti ta identifikojë dhe gjurmojë Neves Valente pas një operacioni gjashtëditor në disa shtete, falë pamjeve të kamerave të sigurisë dhe informacioneve të ardhura nga publiku.




