Policia ka nisur sot një operacion i quajtur “Bregdeti ynë”, në kuadër të të cilit ka nisur lirimi i vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil. Në këtë detyrë, efektivët janë “përplasur” si me pronarët e hoteleve që kanë zaptuar hapësirat për shezlonë pa leje, por dhe me qytetarët që kishin paguar paratë dhe po pushonin.
Një rast i tillë është regjistruar dhe në Velipojë, ku pronarja e një hoteli ka debatuar me shefin e Policisë, e madje e ka shantazhuar atë, me pretendimin se ishte qytetare amerikane dhe askush nuk duhet t’i fliste me ton të ngritur zëri.
“Jam qytetare amerikane unë nuk duhet me ma ngrit zonin se thirra direkt ambasadën”, i ka thënë pronarja e hotelit me arrogancë shefit të Policisë. Ndërkohë që ky i fundit, ia ka bërë të qartë se ai nuk merrej me lejet e plazhit, por me lirimin e hapësirave që pronarët kanë përfituar për vendosjen e shezlonëve dhe çadrave, sipas aplikimit që kanë bërë në e-Albania.




