Artistët i dhanë dje lamtumirën e fundit këngëtarit të Madh, Sherif Merdani.
Ai ndërroi jetë dy ditë më parë, pasi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.
Këngëtarja shkodrane Justina Aliaj rrëfeu sesi e priti lajmin e vdekjes së tij, si dhe ndau detaje nga festivali i 11, koncert pas të cilit, Sherif Merdani u dënua me 16 vite burg.
“E dija që ai ishte sëmurë, por lajmin e mësova nga ora 23:00 e natës. Sigurisht nuk fjeta. Ishim shumë pak që morëm dënimin, por Sherifi është bashkudhëtari im, kështu që lypet me bo adetet e fundit sipas tagertin tim. Gjithmonë në të keq, njeriu kthehet e ka dëshirë me pa e kalu në mendjen e vet ato njerëz që ka pasur afër, ata që nuk e kanë tradhtuar. Kur ka dalë shumë vite mbrapa, sepse dhe unë ika nga Shqipëria. I thashë, po të mos kishim kënduar në festivalin e 11. Më tha mos u mërzit, do të dënoheshim në të 12”, rrëfeu artistja në News 24..
Këngëtarja shkodrane tha se dhe ajo ishte e rrezikuar të burgosej, sepse komunikonte shpesh me Sherif Merdanin. Por sipas saj ai nuk e tradhtoi kurrë apo të përmendte emrin e saj pas marjes në pyetje.
“Në atmosferën tonë nuk ndodhi asgjë sepse nuk e nuhatën që kishte tradhti në mes. Ne dinim t’i ndanim njerëzit, cilët ishin të preferuarit e kush jo, ne ishim të pa preferuarit. U përgatitëm, shkëmbeheshim nëpër korridore. Kjo ishte krejt normale, domethënë, lumturia vetë për ne. U përgatitëm në maksimum, ishim seriozë në prova, ishim në pikat më të imta e të forta. Një prej tyre ishte dhe i madhi, e asgjë nuk ndodhi në momentin që pas dy ditëve morëm vesh që po fillon kalvari. Nuk e kuptonim, por u rrethuam në atë ambient mjegull e shihnim kush na tradhtoi. Kishim frikën kush do dënohet e do e marrë më rëndë. Sherifi e mori më rëndë. Kur Sherifi ishte atje ku ishte, prisja të më merrte dhe mua, sepse kisha fol shumë me sherifin. Unë i shkoja mbrapa në korridor e i thosha kam mësuar një këngë të bukur.
E të gjitha këto pastaj rënduan shumë te mua, kur ai ishte brenda sepse thoja që të paktën unë të mos i thoja asnjë fjalë për këtë brengë nëse pyet për mua atje. Por ai nuk tradhtoi kurrë. Unë kam qëndruar 1 vite e gjysmë në shtëpi me më prit e më arrestuar, derisa Sherifi mori dënimin. Unë isha bllokuar në shtëpi. Shpirti është i rëndë me qenë i burgosur jashtë. Më thanë që do të ikja në Dukagjin, do t’i mësoja muzikë atyre. Isha shumë e re për të shkuar atje, ishte e frikshme. Por Shkodra bëri të vetën. Më kthyen mbrapsht më pas në familje. Qëndrova në Shkodër 4 vite, e më pas u martova në Tiranë, e erdha prapë. Për 18 vite nuk dola në televizor, në festivale. E dija si ishte situata, atë e akuzuan për propagandë. Fakti është që ishte festival. Jam takuar me Sherifin kur doli nga burgu, por në kohën e tranzicionit ika me të gjithë familjen, ndërkohë Sherifi shkoi diplomat në Romë, e prapë u ndamë. Ne do të donim të rikthehej festivali i 11, por kishte marrë përmasa të tjera, për mua ishte etalon, është historia”, u shpreh Aliaj.
Sipas saj me kjen e Merdanit, arti shqiptar humbi personifikimin e lirisë, e të bukurës, guximit, talentit dhe muzikës.
“Arti shqiptar me Sherifin humb personifikimin e lirisë, e të bukurës, e guximit, e talentit, e muzikës”, tha Aliaj.



