Ish-kryeministri Sali Berisha injoron vendimin e qeverisë amerikane për shpalljen e tij “non-grata” dhe i rikthehet kërkesës së tij ndaj SHBA-së, për të publikuar provat që çuan në vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit për ta futur ish-kryeministrin shqiptar në “listën e zezë”.
Nga selia e PD-së, ku u rikthye sot pas vendimit të gjykatës për njohjen e statutit të 11 dhjetorit, Berisha u pyet nëse kishte ndonjë mesazh ndaj SHBA-së dhe deklaratë se amerika do të ndërpresë marrëdhëniet me PD-në nëse në krye të saj është një person i shpallur “non-grata”.
Berisha tha se vendimi i DASH ishte politik, dhe sipas tij, është kundërshtuar nga zyrtarë të lartë amerikanë të Partisë Republikane.
Ai u shpreh i vendosur, se për sa kohë SHBA nuk publikon prova ndaj tij apo fëmijëve të tij për korrupsion, do të vijojë karrierën politike duke garuar për kryetar të PD-së.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Së pari, besoj se pyetjen e ke të tepërt, në kuptimin që përgjigjen më të shkëlqyer asaj pyetje, ia kanë dhënë demokratët me votën e lirë. Marrëdhëniet e mija me SHBA janë dhe do të mbeten marrëdhënie të diktuara nga vlerat e lirisë, parimet e demokracisë, që ndajnë popujt e lirë. Por do të të jap edhe një përgjigje të dytë. Kjo parti, është parti e spektrit konservatore dhe ka për partnere Partinë Republikane, dhe ju jeni dëshmitarë se eksponentë ndër më të rëndësishmit, të niveleve më të larta të kësaj partie, e kanë quajtur vendimin e sekretarit të shtetit, një vendim të mirëfilltë politik të ndikuar nga George Soros për të ndihmuar Edi Ramën.
Nuk është vetëm kjo, ju keni një kongresmen që i tha publikisht sekretarit të shtetit se vendimi vjen nga hiçi, dhe se nuk ekziston asnjë provë. Ka një realitet që e qujanë vendim i George Soros dhe një që e quajnë vendim politik. Duke deklaruar të gjitha këto, në momentin që të publikohet një fakt i vetëm, një provë e vetme se unë apo fëmijët e mi kanë përfituar nga pasuritë publike qoftë edhe një qindarkë, unë marrë vendim për veten time. Përdryshe qëndrojnë shqiptarët krenarë.




