Ashtu siç është paralajmëruar Kuvendi nesër do të mblidhet në seancë plenare por njëkohësisht me seancën, opozita do të mbajë dhe një protestë.
Seanca mblidhet në orën 10:00, ndërsa pritet që deputetët e rinj të bëjnë betimin pas marrjes së mandatit sot nga KQZ.
Ndërkohë Kuvendi i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të deputetëve gjatë seancës së nesërme.
Në mbledhjen e kësaj të hëne të KQZ, Endrit Braimllari i LSI do të zëvendësohet nga Edmond Rushiti, i dhjeti në listë për Tiranën.
Po në Tiranë, Floida Kërpaçi do të zëvendësohet nga kandidati Ylli Shehu.
Ndërkohë në Elbasan, mandatin e Edmond Haxhinastos, KQZ do ia kalojë kandidatit pasues Enver Roshi.
Sakaq në Dibër, mandatin e Përparim Spahiut do e marrë Aurora Mara
Ndërkohë Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë e para parlamentit. Sipas dokumentit të firmosur nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj, thuhet se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e deputetëve e ministrave. Po kështu sipas policisë, protesta cenon sigurinë kombëtare.
Nga ana tjetër PD akuzon policinë se po shkel Kushtetutën dhe se në asnjë prej protestave të zhvilluara nuk janë dëmtuar policë. PD deklaron se protesta do të zhvillohet edhe pa leje nga policia.




