Vetëm një javë para Zgjedhjeve Parlamentare të 25 Prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve, mori vendimin për vendosjen e karantinës dyjavore, ndaj të gjithë emigrantëve që hynin në territorin e Shqipërisë, nga shteti i Greqisë apo Maqedonisë së Veriut.
Ky kufizim, i apeluar edhe në Gjykatën Administrative nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që nga mesnata e 3 majit do të hiqet. Kështu, të gjithë emigrantët e Greqisë dhe RMV-së do të munden të hyjnë dhe të qëndrojnë pa pengesë në vendin tonë.
Në kohën e vendosjes së karantinës, Komiteti Teknik i Ekspertëve e arsyetoi kufizimin si një masë parandaluese ndaj shtimit të rasteve të reja me kovid-19 në vendin tonë.
Megjithatë, nëse do të shohim rastet e reja të raportuara nga këto dy vende fqinje nuk tregohet një rënie në kurbën epidemiologjike.
Përkundrazi, para një dite Greqia ka shënuar 1,389 raste të reja, ndërsa Maqedonia e Veriut 104 raste ditore.




