Rob Kore
Të thuash që Biden po tregohet shumë i dobët ndaj Putinit, nuk do të thotë se je pro-Putin. Përkundrazi, ti po kërkon që politikani që supozohet se është njeriu më i fuqishëm i planetit, të stopojë Putinin në këtë ndërmarrje të rrezikshme.
Unë besoj se presidenti amerikan me një telefonatë mund ta bëjë. Për ta mbështetur këte pohim kemi shembullin e John Kennedy, i cili i tha Hrushovit hiqi raketat brenda 24 orësh ose do të qëlloj. Dhe Hrushovi u bind pa e zgjatur.
Putini sot nuk është me i fuqishëm se sa Hrushovi atëherë. BRSS atëherë kishte forcë më të madhe në botë, se sa Putini sot. Hrushovi kishte gjithë republikat brenda, kishte gjithë Europën Lindore, kishte dhe shumë vende në Amerikën Latine që ishin pro-rusë.
Së fundmi, Dan Bongino pohon se Trump gjatë mandatit të tij, ka kërcënuar Putinin me të njejtën gjuhë, për mosndërhyrje në Ukrainë. Fakti është, që Putini nuk bëri asnjë lëvizje gjatë 4 vjeçarit të Trump.
Politikani gjykohet nga veprat që bën, jo sa bukur flet. Politikan i mirë është ai që merr vendime të guximshme në momente të vështira, jo ai që dërdellit fjalë të bukura, sa për t’i dhënë kohë vetes që një krizë tjetër të bëjë që të harrohet kriza e tanishme.
Putini ka 22 vjet në pushtet. Besoj të gjithë biem dakord që ai kërkon të risjellë Rusinë cariste. Duke pranuar këtë, nuk qetësohem po të filloj të them që Putini është djall. Ajo që do të më qetësonte do ishte sjellja e SHBA dhe e Europës ndaj Putinit. Më intereson si zgjidhet një problem, jo të shfryj emocionet e mia, që nuk rregullojnë asgjë.
Pra, gjatë këtyre 22 vjetëve sjellja e Putinit nuk ka ndryshuar. Ndryshoi vetëm presidenti në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe njëherë, të dalësh në këtë konkluzion nuk do të thotë që je pro-Putin, por shpreh shqetësimin tënd të ligjshëm dhe të bazuar në fakte, që Amerika sot ka presidentin më të dobët se kurrë më parë. Por mendoj, se nuk kemi parë gjë akoma. Mbasi mbaruan Lojërat Olimpike edhe Kina do bëjë të njejtën gjë me Taivanin.
Një president amerikan i dobët sjell konflikte në botë.




