Laknasi, pranë Tiranës, ekziston si fshat turistik në projektet e qeverisë së sotme të PS-së, mirëpo pamjet e plehrave dhe baltës nuk kanë asnjë gjurmë “turistike”.
Flamur Noka, drejtuesi politik i fushatës së PD për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Vorës dhe Zallherrit, shkoi ta vizitonte “fshatin turistik”, po nuk arriti të shkonte shumë larg prej baltës dhe plehrave që e kishin mbuluar pëllëmbë për pëllëmbë.
Laknasi është pjesë e projektit “100 fshatrat”, – shpjegoi Noka. – Edi Rama ka garantuar Rilindjen Rurale, por që për Laknasin projekti ka mbetur vetëm në 3D. Rilindja Rurale rezultoi një gënjeshtër e madhe për banorët e Laknasit.
Sot, ky fshat është i mbuluar nga mbeturinat, me ndërtesa të vjetra të mbuluara me eternit, një rrezik për banorët e zonës. Rrugët dhe trotuaret e Laknasit janë investim i bërë në kohën kur qeveriste Partia Demokratike.
Me Edi Ramën dhe Rilindjen, kjo zonë është zhytur në baltë, ka mbetur në vendnumëro! – tha ish-deputeti i PD. – Gjendja e Laknasit sot është shumë larg pamjes së një fshati turistik.
Kjo situatë skandaloze ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes, e abuzimeve dhe premtimeve të pambajtura nga Edi Rama,” tha Noka, duke dalë fare thjesht në konkluzionin që shihet qartë në video.




