Një burim i Lapsi.al në Partinë Demokratike tha se Bushatit i duhej të tërhiqej menjëherë, për të shmangur thashethemnajën që mund të krijohej pas shpalljes së kandidaturës për kryetar bashkie për Shkodrën, sipas të cilave ai mund të kishte pasur ambicie, por mund të ishte refuzuar.
Në fakt, arsyet e dorëheqjes kanë të bëjnë me klimën e vështirë në të cilën po kalojnë mbështetësit e Lulzim Bashës në PD.
“Pas shkarkimeve masive në strukturat drejtuese të PD-së, Helidon Bushati vërtet pranoi emërimin si anëtar i kryesisë së PD-së duke pranuar edhe rreshtimin pro Bashës, por asnjëherë nuk ishte i kënaqur as me akuzat për Berishën dhe as me ato për qeverisjen e 8 viteve të PD-së dhe as me dhunën e 8 Janarit” tha burimi
Çfarë po ndodh me demokratët e Bashës në Shkodër?
Kryetar i degës së Shkodrës është Xhevdet Amuli, biznesmen dhe dashamirës i futbollit. Nëse nuk e kandidon për Bashkinë e Shkodrës, Alibeajt i duhet ta llogarisë patjetër mendimin e Amulit, i cili i ka qëndruar besnik Bashës në një moment kur shumica e anëtarësisë i ktheu kurrizin.
Çfarë ndodh me demokratët e Foltores?
Brrylat brenda mbështetësve të tij, Berisha i ka të zgjidhura. Të dielën në Shkodër zhvillohen “primaret” (zgjedhjet e brendshme) për kandidatin që do t’i përfaqësojë në 6 Mars. Në garë janë tre grupime, me ambiciet e tre emrave të njohur mes demokratëve të Shkodrës. Në garë pritet të hyjë kryetarja aktuale e Bashkisë, Voltana Ademi që kërkon një mandat tjetër. Është ish-kryebashkiaku Lorenc Luka që kërkon rikthim dhe është ish-deputeti Bardh Spahia, i cili kërkon votën e demokratëve të Foltores për të qenë kandidaturë e tyre për Bashkinë.
Pikërisht për këtë situatë në Shkodër, Helidon Bushati zgjodhi të çaktivizohet dhe të tërhiqet në heshtje duke i lënë Bashës edhe ai vulën e partisë./Lpasi.al




