Prapaskenat e takimeve/ Pse Yuri Kim ka 3 ditë rresht që shkon në Kuvendin e Shqipërisë?

0
78

Burimi Gazeta Shqiptare

Lindita Nikolla mungoi disa ditë në zyrën e saj të kryetares së Kuvendit. Në fillim të prillit, seancën plenare dhe takimet diplomatike i zhvilloi nënkryetarja Ermonela Felaj.

Pasi kaloi COVID-in me simptoma të lehta, Lindita Nikolla u rikthye në zyrë ditën e hënë. “Aty e priste” ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Dialogu me Nikollën, ishte i pari i një serie takimesh që diplomatja Kim zhvilloi në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Në 3 ditët e fundit, ajo hyri 3 herë në atë godinë.

Më 4 prill takoi Lindita Nikollën, më 5 prill Enkelejd Alibeajn dhe më 6 prill Taulant Ballën.

Diçka jo e zakontë në praktikën diplomatike.

Çfarë e shtyu ambasadoren amerikane në Tiranë t’i qëndrojë kaq afër Kuvendit në një situatë në dukje normale dhe aspak të jashtëzakonshme?

Për të kuptuar ç’po ndodh, duhet parë realiteti me “syze amerikane” dhe jo shqiptare.

Për ne, rikthimi në skenën e politikës aktive i Sali Berishës nuk përbën lajm.

Por, rikthimi i ish-kryeministrit të shpallur “non-grata” dhe të akuzuar si i përfshirë në korrupsion madhor, duket se i ka shqetësuar amerikanët.

Para zgjedhjeve të 6 marsit, SHBA kishte një qëndrim të qartë për situatën në PD. Duke mos e njohur “Komisionin e Rithemelimit”, Yuri Kim i dha mbështetje të pakursyer Lulzim Bashës. Kjo mbështetje publike duket se u venit pas disfatës që Basha pësoi më 6 mars. Amerikanët u stepën. Heshtën.

Heshtja e tyre duket se e inkurajoi Berishën, i cili si një politikan me eksperiencë vazhdoi të shpërfaqej si “viktimë e një komploti”. Ai hyri në selinë e PD, shkarkoi “de fakto” të gjithë drejtuesit, përveç njërit.

Berisha pranoi se Enkelejd Alibeaj është në fakt kryetari legjitim i grupit parlamentar. Por, në mbledhjen e fundit ai bëri një përpjekje për të shkarkuar atë edhe nga ky funksion. Kjo duket se i ka shqetësuar amerikanët dhe ambasadoren Yuri Kim, e cila nxitoi t’i japë mbështetje publike Alibeajt.

Jo vetëm kaq, por ajo e quajti Alibeajn “kryetar i komanduar i PD”, ndërkohë që për Berishën ai është i shkarkuar nga ky funksion, si pasojë e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për të regjistruar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021.

Në takimin me Alibeajn, Yuri Kim i ka dhënë atij mbështetje të plotë duke e njohur si drejtuesin legjitim të PD. Madje burimet e “Gazetës Shqiptare” thanë se Yuri Kim, në takimin me Alibeajn por edhe në atë me Nikollën, ka bërë të ditur se “SHBA njohin vetëm vendimet përfundimtare (të formës së prerë) të gjykatave”.

Kjo do të thotë se ambasada amerikane do të presë rezultatin e apelimit nga PD të vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri. Sipas Bardhit dhe Alibeajt, vendimi i Zhukrit është i paligjshëm dhe në shkelje të plotë të procedurave.

Gjatë këtyre ditëve, deputetët e PD-së pritet të thirren një nga një në rezidencën e ambasadores amerikane që të jenë të qartë me qëndrimin e Uashingtonit.

Pra, në takimet e saj publike në Kuvend, Yuri Kim synoi të japë 2 mesazhe:

SHBA nuk do të lejojnë shkarkimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar i grupit parlamentar të PD. Rrjedhimisht, edhe negociatat për çështjen e presidentit të ardhshëm (nëse do të ketë) do të bëhen përmes Alibeajt.

SHBA nuk e njohin si përfundimtar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri për shkarkimin e gjithë drejtuesve të PD dhe pranimin e “Komisionit të Rithemelimit”. SHBA po presin vendimin e Gjykatës së Apelit për këtë çështje.

* * *

Përsa i përket grupit parlamentar, Berisha e ka të pamundur të krijojë një të ri, të paktën brenda këtij sesioni. Rregullorja e Kuvendit thotë se që një deputet të kalojë nga një grup tek një tjetër, duhet të kalojnë së paku 6 muaj. Kjo u sanksionua në rregullore për të evituar “trafikun” e deputetëve, fenomen i zakonshëm në të kaluarën.

Pas heshtjes që pasoi 6 marsin, amerikanët duket se janë rikthyer në skenë. Kjo duket se e ka inkurajuar edhe Lulzim Bashën, i cili sot po bën atë që duhet të kishte bërë që vjet në shtator. Të dalë në bazë./gazetashqiptare

Zjarr Tv Ad