Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nderi i kombit”, këngëtarin e muzikës popullore Bujar Qamilin.
Në një postim në rrjetet sociale Meta shkruan se prej më shumë se katër dekadash ai me zërin magjik dhe interpretimin e jashtëzakonshëm është bërë pjesë e gëzimeve në familjet dhe vatrat shqiptare.
Kjo dekoratë i jepet në vlerësim të kontributit të vyer dhe të rëndësishëm, në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e këngëve popullore.
Postimi i Metës:
Nuk besoj të ketë shqiptar në çdo trevë ku flitet dhe këndohet shqip, që të mos ketë dëgjuar dhe kënduar të paktën një këngë të artistit të madh dhe shumë të dashur, Bujar Qamili.
Për mbi katër dekada në skenë, me zërin magjik dhe interpretimin e jashtëzakonshëm, ai është kthyer në simbolin e këngës popullore shkodrane dhe shqiptare, duke fituar zemrat dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut, për t’u bërë me repertorin e tij të magjishëm, pjesë e gëzimeve në familjet dhe vatrat shqiptare.
Në vlerësim të kontributit të vyer dhe të rëndësishëm, në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e këngëve popullore, duke e shtuar dashurinë dhe krenarinë për vlerat e jashtëzakonshme kombëtare dhe kulturore, e çmova sot Bujar Qamilin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
“Nuk knoj ma thotë bilbili,
Ma kalon Bujar Qamili.”




