Raporti i komisionit hetimor për inceneratorët më 7 mars, Tabaku: Do kemi dy të ndara sepse s’kemi për t’i dhënë kurrë mbrojtje politike

0
54

Komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët do të dalë në datën 7 mars me raportin përfundimtar, që me shumë gjasa do të jenë dy raporte përfundimtare. Kryetarja e komisionit hetimor, Jorida Tabaku tha se përfundimet nuk mund të jenë të përbashkëta me mazhorancën, sepse opozita “s’kemi për t’i dhënë dot mbrojtje politike tre kriminelëve që sot janë në kërkim e marrin fonde nga buxheti i shtetit dhe ndërkohë që flasim”.

Jorida Tabaku: Ne në raportin përfundimtar do i tregojmë shqiptarëve cdo fakt e provë që kemi mbledhur. Bej me dije se në 7 mars ky komision do sjellë raportin përfundimtar. Duhet të jetë i përbashkët, une s’do e paragjykoj që do kemi dy raporte të ndara por e sigurt që ato mendime që ndajmë nuk do konvergjojnë në një raport se kurrë s’kemi për t’i dhënë dot mbrojtje politike tre kriminelëve që sot janë në kërkim e marrin fonde nga buxheti i shtetit dhe ndërkohë që flasim.

FJALA E KRYETARES SË KOMISIONIT HETIMOR PËR INCENERATORËT, JORIDA TABAKU, NË MBYLLLJE TË HETIMEVE

Sot në datën 25 shkurt është mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor për Inceneratorët e cila shënon edhe fundin e hetimeve. Dëshira e përfaqësuesve të Partisë Demokratike ka qenë që ky Komision t’i vazhdonte hetimet, të kishim më shumë kohë në dispozicion, por ne fatkeqësisht nuk arritëm dot që të gjejmë dakordësi për këtë çështje.

Java e fundit me shumë dëshmitarë, e ngjeshur me shumë informacione por njëkohësisht me dosje voluminoze të cilat i kanë ardhur këtij Komisioni, besoj janë lexuar nga të gjitha palët. Unë dje bëra një thirrje të fundit për z. Gledis Nano, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për të cilin ne jemi akoma në pritje për të marrë të dhënat TIMS të personave të përfshirë në hetim, të cilat i kemi kërkuar që në datën 4 shkurt.

Ndjejmë keqardhje të vogël që ndoshta nuk arritëm të shfaqnim të gjitha provat dhe dokumentet që kemi patur këtu për arsye se disa nga dëshmitarët nuk dëshmuan, p.sh z.Alqi Bllako, anëtarët e komisionit të koncensionit, por janë të gjitha dokumente që do të jenë pjesë e raportit final por edhe dosjes dhe informacioneve që ne do t’i dërgojmë organit të akuzës.

Unë besoj se në fund të këtij komision hetimor arritëm të tregojmë diçka:

Që mbrojtja politike që ofroi qeveria,

Mbrojtja politike që ofroi kushdo që ishte i përfshirë në këtë proces,

Mbrojtja politike që i është bërë tre kompanive dhe pronarëve të kompanive që sot janë persona në kërkim. Është asgjë kur ofrohet transparenca dhe llogaridhënia për publikun.

Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë ndjekur komisionin hetimor të cilët kanë bërë pyetje pa fund, të cilët na kanë dhënë informacione pafund, të cilat nuk kemi arritur t’i transmetojmë të gjitha por do të jenë pjesë e dosjes hetimore. Ajo që është më e rëndësishmja falënderoj çdo punonjës përgjegjës të administratës publike që ka refuzuar të firmosë.

Më lejoni të them që ka shumë të tillë, që nuk kanë firmosur, që janë larguar, që kanë dhënë dorëheqjen nga komisioni i koncensionit, që kanë refuzuar të firmosin vendime korruptive dhe qeveria është detyruar të ndryshojë rrugë dhe të marrë vendime të tjera, të ndryshojë formën dhe mënyrën e këtyre koncensioneve.

Sot në fund të ditës, pasi këto koncensione kanë filluar të zbatohen në mënyrë abuzive. Pasi 430 mln euro janë tenderuar, koncensiuonuar dhe dhënë nga shtetit shqiptar, inceneratorët nuk ekzistojnë.

Ne e pamë me sytë tanë dhe e vërtetuam që pas gjithë këtyre procedurave korruptive, kësaj mbrojtje politike, këtyre sulmeve që i bëjnë anëtarëve të komisionit hetimor veçanërisht opozitës për guximin që kanë treguar për të folur me fakte, me prova dhe me argumente por njëkohësisht zbatimit të kësaj kontrate në mënyrë abuzive, pagesave të jashtëzakonshme abuzive që ka patur kjo kontratë, ne pamë që nuk ka incenerim, që inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit nuk punojnë, që nuk justifikon asgjë, as foto me ngjyra, as bojë, asgjë nuk e justifikon vjedhjen. Sepse qëllimi i ligjit pavarësisht asaj që duan të mbulojnë është një dhe vetëm një, zbatimi i ligjit.

Seanca e ditës së mërkurë ishte ndriçuese në shumë aspekte për qytetarët, sepse kushdo që e pyeste Kryeministrin, ai e sulmonte. Unë dua t’i kërkoj ndjesë zonjave në këtë komision, edhe në emrin tim si kryetare e komisionit që ndoshta nuk kam bërë maksimumin për ta ndaluar Kryeminsitrin e vendit që të mos sulmonte anëtarët e këtij komisioni. Por dua t’i falënderoj që i patën guximin t’i thonë të vërtetën në sy Kryeministrit të vendit dhe kjo nuk është pak; t’i thuash atij që ka shkelur ligjin, ka bërë korrupsionin e ka abuzuar me 430 mln euro që je personi përgjegjës, sigurisht që nuk është pak.

Ne në raportin përfundimtar do t’i tregojmë shqiptarëve çdo provë, çdo argument që kemi mbledhur. Sot kemi disa vendime për të njoftuar, përveç përfundimit të hetimit, njoftojmë që në datën 7 Mars do të sjellë raportin përfundimtar. Raporti përfundimtar, ashtu siç e përcakton edhe ligji për komisionet hetimore, duhet të jetë i përbashkët dhe të miratohet bashkërisht në këtë komision. Unë nuk do ta paragjykoj që ne do të kemi dy raporte të ndara. Por jam e sigurt që ato mendime që ne ndajmë nuk do të konvergojnë në një raport për faktin se kurrë s’kemi për t’i dhënë dot mbrojtje politike tre kriminelëve që sot janë në kërkim dhe që marrin fonde nga buxheti i shtetit edhe ndërkohë që flasim.

Zjarr Tv Ad