Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, pasi ka përmbushur 80% të reformave të kërkuara.
Lajmi u bë i ditur nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë.
Kos theksoi se fondet do të shpërndahen në bazë të progresit të vendeve në zbatimin e reformave, duke bërë të ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë 15% më shumë nga fondet e parashikuara në kuadër të këtij plani, kurse Maqedonia e Veriut 10% më shumë.
“Faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë për një instrument shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të zbatimit 4-vjeçar të Planit të Rritjes. Rezultatet tuaja janë të ndryshme, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, kurse tre shtete të tjera nuk i kanë shfrytëzuar ashtu siç duhet.
Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, kurse Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Serbia deri më tani nuk ka marrë fonde nga Plani i Rritjes, por kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re”, tha Marta Kos.
Komisionerja europiane e cilësoi zgjerimin si një proces që po merr ritëm, duke vënë në dukje se viti aktual pritet të jetë më i suksesshmi në këtë drejtim gjatë 25 viteve të fundit. Në këtë kontekst, ajo përmendi edhe kontributin e Shqipërisë në ecurinë e procesit.
“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh. Ky vit do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vjet. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë, tani po mbyllim me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria”, deklaroi Kos.
Ajo shpjegoi se përfundimi i kapitujve të negociatave do të hapte rrugën për një fazë tjetër të rëndësishme, atë të përgatitjes së traktatit të anëtarësimit. Sipas kalendarit të paraqitur nga komisionerja, ky dokument mund të nënshkruhet gjatë vitit 2028.
“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, u shpreh ajo.
Kos nënvizoi se kalimi drejt traktatit të anëtarësimit lidhet me mbylljen e të paktën gjysmës së kapitujve negociues dhe krijimin e një grupi pune nga vendet anëtare. Megjithatë, ajo bëri të qartë se procesi nuk varet vetëm nga ecuria teknike, por edhe nga ratifikimi dhe vullneti politik e qytetar.
“Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, përfundoi komisionerja europiane.

