Reshjet e ditës së djeshme, edhe pse shkaktuan përmbytje të mëdha në Tropojë dhe në zona të tjera në Veri të vendit, kanë pasur edhe anën e mirë. Sipas të dhënave më të fundit, shiu i djeshëm ka përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në liqenin e Fierzës, që shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi kaskadën e Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit.
Të dhënat e shpërndara për datën 17 shtator nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) tregojnë që niveli i ujit në liqenin e Fierzës u rrit me 1 metër, në 268 metra mbi nivelin e detit ndërsa prurjet mes ditës së djeshme dhe asaj të sotshme pritet të jenë mes 700-1000 m3/s. Ndërkohë që pika optimale në liqen është 271 metër, minimale 244 metra, ndërsa kur ka reshje të bollshme, niveli shkon edhe në 296 metra. Përveç Fierzës, në hidrocentralin e Komanit kuota dje ka shkuar në 167m ndërsa në Vaun e Dejës 72m.

Lajme të mira këto për vendin, në një kohë kur në të gjithë botën pritet një krizë elektrike. Por shiu duket se do ta përmirësojë situatën jo vetëm për Shqipërinë. Lidhur me krizën që pritet në dimër, administratori i KESH, Ergys Verdhi se katërmujori i ardhshëm do të jetë i lagësht, gjë që do përmirësojë situatën energjitike në Shqipëri.
Verdhi në sqarimet e tij publike ka bërë me dije se në fakt, gjatë dimrit, Shqipëria duhet të konsumojë rreth 24 giga energji elektrike në ditë, e të mos e tejkalojmë. Këtë sasi, mund ta prodhojmë me anë të rezervës tonë, por e gjitha varet nga moti dhe kushtet atmosferike. Nëse ka shi, kriza nuk do të ndjehet aq shumë. Ndërkohë që nga ana tjetër, qeveria ka ndërmarrë masa të tjera, duke vendosur si kufi 800 kw/H për të gjithë konsumatorët, e pas kësaj fashe çmimi shkon në 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 KwH që shpenzojnë. Familjet që shpenzojnë deri në 800 KëH do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë. Çmimi i ri do të aplikohet nga data 1 tetor dhe nuk prek bizneset.




