Shpëtim Idrizi: Edi Rama sillet si servil me Athinën, i fali detin Greqisë, me shqiptarët është arrogant…

0
44

Shpëtim Idrizi, në kuadër të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare të 25 Prillit, është ndalur në Sarandë. Gjatë takimit me qytetarët e Sarandës, kreu i PDIU prezantoi kandidatin për deputet, Gëzim Ademaj, përfaqësues i komunitetit çam. I ndodhur në skajin jugor të Shqipërisë, Idrizi nuk i fshehu emocionet kur tha se ndodhej shumë pranë Çamërisë, tokës së të parëve.

“Si kryetar i PDIU, kur takohem me bashkëpatriotët e mi, jam në një vend të veçantë, jam në shtëpinë time. Sa herë kam qenë në Sarandë e kam ndjerë se jam shumë afër Çamërisë, shumë afër identitetit dhe asaj beteje shumë të madhe që po bëjmë të gjithë bashkë, për dinjitet”, u shpreh Idrizi.

Kreu i PDIU, duke u ndaluar te zgjedhjet parlamentare tha se në 25 prill qytetarët do të kenë në dorë ndryshimin e Shqipërisë, për t’i dhënë fund rrënimit ekonomik dhe varfërisë, tranzicionit të stërzgjatur, rikthyer ekonominë në duart e shqiptarëve dhe jo të pesë njerëzve pranë kryeministrit dhe për të ndaluar ikjen masive të të rinjve. 60% e shqiptarëve tha Idrizi jetojnë me 4 USD në ditë.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Shqipëria ka kohë që është në një krizë shumë të madhe institucionale, emigracioni do të thoja, sepse pas 30 vitesh janë kapur të gjitha pushtet në një dorë. Sigurisht jemi vend normal, kemi zgjedhur demokracinë, ndryshimin e elitave dhe njerëzve që janë aty si shërbëtorë. Por kur e patën njëherë shtetin e tyre shqiptarët, sa herë që patën nevojë? Çështja e detit ishte gjithashtu kryefjalë e takimit të Idrizit me qytetarët e Sarandës. Kreu i PDIU tha se do t’i përgjigjej Ramës po nga Saranda nga ku kryeministri kishte hedhur akuza në takimin e fundit elektoral. Idrizi tha se Edi Rama i fali Greqisë zgjerimin me 12 milje në ujrat e detit jon.

Sipas tij, kryeministri shqiptar, që shkon dhe darkon me homologun grek, sillet si servil me Athinën dhe arrogant me shqiptarët. Idrizi tha se ai do të ngrejë zërin dhe do t’i bashkohet kauzës kombëtare sa herë që dinjiteti i shqiptarëve do të tentojë të nëpërkëmbet.

“Jam këtu në Sarandë dhe nuk mund të rri dot pa i dhënë një përgjigje kryeministrit, m.q.s më është drejtuar po nga këtu. Ka parasysh faktin që sa herë vjen afër Greqisë, i hipin disa gjëra që i ka të brendshme, automatikisht bëhet servil me Greqinë dhe arrogant me shqiptarët. Ka qenë këtu në Sarandë dhe ka thënë që, po pse more Shpëtim Idrizi do ta ruajë detin? Padyshim që nuk është detyra ime që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin, sepse në radhë të parë është detyra e kryeministrit, e shtetit shqiptar, që të mos lejonte që Greqia pas 84 vitesh t’i zgjeronte ujrat territoriale të saj në drejtim të Shqipërisë nga 6-12 milje. Ishte detyra e kryeministrit të vendit tim që ta kundërshtonte këtë gjë dhe të mos lejonte që Greqia të mos i hante këto 12 milje siç hanin lakenjtë e tij biftekët e Nusretit në Dubai.

Zjarr Tv Ad