Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë zgjedhur një tjetër formë proteste këtë të mërkurë, duke mbushur muret e korridoreve dhe dyert e ambienteve me postera që evidentojnë problematikat e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, emigracionit dhe investimeve publike.
Përmes artikujve të publikuara në media, të dhënave nga raporte dhe deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë, të shoqëruara me mesazhe ironizuese të shkruara me dorë, studentët kanë rikthyer në vëmendje një sërë premtimesh që, sipas tyre, kanë mbetur të parealizuara.
Një prej posterave evidenton shpenzimet për tendera të Universitetit Politeknik të Tiranës, që sipas të dhënave të afishuara arrijnë në 47.23 milionë euro në tre vite, ndërsa me TVSH vlera shkon në 56 milionë euro.
“Miliona euro tendera, po nuk na punon as Wi-Fi ‘FTI-student’”, shkruajnë studentët.
Në një tjetër afishe, ata rikujtojnë premtimin për godinën e re të Fakultetit të Arkitekturës dhe atij të Inxhinierisë së Ndërtimit, që ishte parashikuar të vihej në dispozicion të studentëve në fillim të vitit 2026.
“Ku është ky xhevahir sot?” dhe “Po godinën e arkitektëve tanë të ardhshëm, kush e ideon?”, janë dy prej mesazheve të vendosura në korridoret e universitetit.
Shqetësimet e studentëve shtrihen edhe te kostoja e jetesës, çmimet e apartamenteve, qiratë e papërballueshme në kryeqytet dhe kapacitetet e pamjaftueshme të konvikteve.
“Hëë, se sajohemi edhe këtë muaj!” dhe “Ndërtohet kryeqyteti, shpopullohet vendi!”, shkruhet në afishet që trajtojnë krizën e strehimit.
Në fokus të kësaj forme proteste është edhe largimi i profesionistëve të rinj nga Shqipëria. Duke iu referuar një studimi për tregun e punës në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, studentët evidentojnë se nga 2,822 profesionistë që janë larguar nga kompanitë e përfshira në studim gjatë një periudhe 12-mujore, 1,271 prej tyre janë larguar për arsye emigracioni.
“Po përdorim pasaportën europiane pra…!” dhe “Çfarë aspiratash pune ke për të ardhmen?”, janë mesazhet që shoqërojnë këto të dhëna.
Studentët kanë rikthyer në vëmendje edhe premtimet për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në Tiranë, vonesat në realizimin e projektit hekurudhor Tiranë-Durrës, si dhe shpenzimet që qytetarët përballojnë nga xhepi për shërbimet shëndetësore.
“Sa breza duhet të kalojnë që të vijë treni?”, “Fund viti 2026, e akoma flasim a kemi ujë!” dhe “Shëndetësi falas?!?”, lexohet në posterat e ngjitur në muret e universitetit.
Pjesë e afisheve janë edhe problematikat e largimit të mjekëve dhe infermierëve, detyrimi për studentët e mjekësisë për të punuar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, si dhe denoncimet për përdorimin e administratës arsimore gjatë fushatave zgjedhore.
“Arsimi nuk është shtab elektoral!”, është një tjetër prej mesazheve të studentëve nw njw poster ku qwndron njw foto e Ogerta Manastirliut, Benet Becit dhe Elisa Spiropalit duke folur nw njw klasw ku zhvillohet mwsim.
Në korridoret e Politeknikut janë vendosur gjithashtu fotografi nga përballjet mes policisë dhe protestuesve, të shoqëruara me mesazhet ironizuese “Shoqërim me ‘komoditet’!” dhe “Ja vlen 2500 euro”.

