Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një postim të fundit ka denoncuar gjendjen e biznesit të vogël në Shqipëri.
Sipas Tabakut, shumë biznese të vogla po mbyllen çdo ditë, ndërsa shkalla e rënies së tyre është alarmante në 8 nga 12 qarqe të vendit.
Ajo shpjegon se këtë situatë e shkaktojnë kryesisht taksat e larta, mungesa e mbështetjes nga shteti dhe një qeveri socialiste që nuk dëshiron të mbështesë sipërmarrjen e ndershme.
Për Tabakun, kjo është një goditje direkte ndaj shtresës së mesme, e cila përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare.
Ndryshe nga klientelizmi dhe interesat e pakicës që favorizohen, sipërmarrja e vogël përballet me sfida të mëdha, duke humbur hapësirë dhe duke rrezikuar mbijetesën e familjeve dhe komuniteteve.
Në këtë kontekst, Tabaku thekson se “rritjet ekonomike” që qeveria prezanton janë vetëm fasada dhe mashtrime, ndërsa realiteti është një krizë e thellë që po prek çdo familje shqiptare.
Postimi i plotë:
Turizmi rritet. Gjithnjë e më shumë të huaj vijnë për të parë mrekullitë e Shqipërisë.
Por gjithnjë e më pak shqiptarë hapin biznese të vogla.
Gjithnjë e më shumë dyer mbyllen.
Pse?
E dinë të gjithë: taksat e larta, mungesa e mbështetjes, dhe një qeveri socialiste që nuk e do sipërmarrjen e ndershme.
8 nga 12 qarqe të vendit kanë rënie të ndjeshme të bizneseve të vogla.
Ato që qeveria i quan “rritje ekonomike” janë vetëm fasada. Janë reklama. Janë mashtrime.
E vërteta është kjo: Shqipëria është në krizë.
Sa herë mbyllet një biznes i vogël, një familje futet në vështirësi.
Sa herë mbyllet një punishte, humb një lagje, zbehet një komunitet.
Shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare është sipërmarrja e vogël.
Dhe për qeverinë socialiste, kjo shtyllë është armiku numër një.
Sepse shtresa e mesme nuk është klienteliste. Nuk shitet. Nuk hesht.
Ajo lufton.
Kundër monopoleve. Kundër shtetit të kapur. Kundër një ekonomie që punon vetëm për pakicën.




