Top Channel vijon “hakmarrjen” siç e cilëson gazetari Endrit Habilaj, ndaj emisionit të tij Top Story. Pas largimit nga ky ekran, pjesëve të mëparshme iu është ndryshuar emri nga “Top Story” në “Inside Story”.
Në një reagim në rrjetet sociale, teksa përmend disa nga episodet më të përfolura të emisionit, autori Endrit Habilaj reagon edhe për deklaratën e motrës së biznesmenit Rezart Taçi.
Kjo e fundit aludoi, se pjesa që i dedikohej aferave të vëllait të saj, mund të ketë qenë një gjobëvënie ndaj Taçit. Por Habilaj thotë se reagimi i saj tregon që ai ka bërë detyrën siç duhet.
Reagimi i Habilajt:
Dy fjalë për Top Story….nga Autori Endrit Habilaj!
Sot në mëngjes pashë që të gjithë dokumentarët Top Story, në 4 vite transmetim, janë emërtuar me emrin e ri, Inside Story. Në fakt, kjo është një hakmarrje e pastër e Drejtorit të Informacionit, i cili nuk e përtyp dot faktin që pas largimit nga Top Channel në 2018, ai u sfumua krejtësisht nga dokumentarët që ne realizonim.
Megjithatë nuk dua të flas për këtë gjë, sepse për mua është një kapitull i mbyllur që në momentin e lincimit të turpshëm me anë të një deklarate kundër meje dhe kundër emisionit Top Story, që shkëlqeu në 4 vite transmetim dhe fitoi 4 çmime ndërkombëtare.
Kam parë me qetësi këto ditë disa sulme, të drejtuara kundër meje, disa të porositura, disa të pakuptimta, dikush jepte moral si duhet të jetë gazetaria etj.
Në fakt, duhet theksuar se këto sulme për mua janë sporadike. Në 4 vite transmetim Top Story, unë dhe kolegët e mi, kemi patur shumë kundërshtarë, të cilët janë denoncuar nga ne si shkelës të ligjit. Kemi një zhgënjim për hir të vërtetës, sepse televizioni ku punonin, na ekspozoi ndaj çdo abuzuesi që i kishim bërë dokumentarë.
Psh, nëse mediat bëjnë lajm motrën e Rezart Taçit, e cila më sulmon mua, besoj se kuptohet nga gjithëkush, që unë kam bërë detyrën siç duhet, duke goditur fort Taçin dhe aferat e tij me ARMO-n.
Si puna e motrës së Taçit, mund të dalin shumë, mund të akuzojnë pa bazë, por thjesht duke shfryrë inatin ndaj asaj që Top Story ka denoncuar. Gazetarët investigativë sulmohen kudo, psh edhe BIRN është sulmuar nga një oligarkë nafte me akuzën e gjobëvënies, por askush nuk e mendon që BIRN vë gjoba. Përkundrazi, bën gazetari jashtëzakonisht shumë të mirë.




