Një ngjarje e rëndë raportohet nga Fieri. Një 26-vjeçare mbyti me tel babain e saj dhe më pas e inskenoi ngjarjen si aksidentale.
Ka qenë e reja që ka shkuar në polici për të deponuar mbi ngjarjen dhe faktin se ishte aksidentale. Por që në momentet e para efektivët kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së Anesti Rama, 56 vjeç, nuk ishte thjesht aksidentale.
Për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara dhe u zbulua ngjarja tronditëse.
Sipas policisë, 26-vjeçarja Emalinda Rama e ka vrarë babain për motive të dobëta duke e mbytur me tel në shtëpinë e tyre në fshatin Frashër. Më pas, dyshohet se në bashkëpunim me nënën 53-vjeçare, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës duke pastruar trupin e 56-vjeçarit.
Pas këtyre veprimeve, ajo ka shkuar rreth mesnatës të njoftojë policinë.
“53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje”, njoftoi policia.
Familjarët e 56-vjeçarit tregojnë për mediat se ata kanë pasur shpeshherë konflikte.
“E kemi ditur dhe më përpara. Nuk shkonin. Ajo thoshte nuk e dua më burrin. E merrni thoshte mbajeni ju, merrni pensionin bëni çfarë të doni.”




