Nga Ilir Levonja
Në një studio televizive pashë që po grindeshin për futjen e gjuhës turke në shkollë. Duhet, apo nuk duhet? Kështu e ashtu etj. Na lidh kjo, apo ajo me Turqinë etj. M’u kujtua breznia ime që u dërrmuam pas rusishtes sikur të kishim gjetur parajsën aty. Si përfundim një brezni e tërë e djegur për faktin se prirjet tona ishin nga gjuhët e Perëndimit. Por jo vetëm ne, sa e sa breza para nesh. Dhe kjo u vertetua me rënien e diktaturës. Rusishtja sot është një relike në kujtesën tonë.
Në fakt turqishtja është strategji e pushtimit ekonomik që Erdogan e ka për rajonin duke investuar në rikthimin e Perandorisë Otomane në sensin ekonomik. Dhe këto iniciativa nuk janë asgjë tjetër, veçse përkulja e kurrizit për shkak të atyre gjoja investimeve, pasi qeveritë e deritanishme kanë dështuar në ekonominë e tregut. Shqiptarët nuk kanë paga të mjaftueshme të vetëndërtojnë, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme të financojnë apo të marrin kredi bankare. Nëse i kanë, përqindja e popullatës është shumë e ulët në raport me të tërën. Kjo edhe për shkak të informalitetit, korrupsionit, rryshfetit.
Para se të shkumoseni tani duke u bërë palë, se duhet apo turqishtja në shkollat tona, bëni diçka tjetër, reformoni arsimin, binanë, në mënyrë të atillë që studenti shqiptar të jetë i barabartë me atë europian. Pasi sot shqiptarët nuk dinë sa duhet gjuhën shqipe. Madje e kanë bastarduar atë. Huazimet kanë arritur kulmin. Reformoni karabinanë se rrezik 60% e mësimdhënësve kanë diploma të rreme. Nuk e kanë idenë se çfarë është pedagogjia. U vini veshin prirjeve të të rinjve se aty është ezistenca shqiptare, jo tek tekat e Edi Ramës që do t’i bëjë qejfin Erdoganit, apo tek ekstaza e Berishës dikur mbi dashurinë kineze. Dhe e fundit, arsimi nuk ka të bëjë as me lidhjet fetare apo mendësitë fetare. Arsimi është laik, i pavarur.




